Aktualitet

Studime për bujqësi në kohën e AI, studenti nga Berati u bën thirrje të rinjve: “Fermerët shqiptarë kanë nevojë për ekspertë”!

Në një kohë kur shumica e të rinjve vendosin të studiojnë për mjekësi, teknologjia apo degë të ndryshme të inxhinierisë, ka edhe studentë si Klajdi i cili i është përkushtuar degës së bujqësisë, apo ndryshe Inxhinieria Agrare.

“Vendosa që të vazhdoja në degët e bujqësisë, duke pasur një lidhje me të shkuarën ku gjyshi im ka ushtruar profesionin e agronomit. Me kalimin e kohës duke parë se sa fushë e bukur ishte bujqësia, më bëri për vete”, u shpreh Klajdi.

Klajdi Pirja, një student 21 vjeç ka vendosur që jetën e tij t’ja dedikojë këtij profesioni. Ashtu sikurse thotë edhe vetë ai, kjo nuk është thjesht një punë, por është një lidhje me të shkuarën, një kulturë, një binde, një trashëgimi e kaluar brez pas brezi.

Është një fuqizim i specialitetit të fushës së bujqësisë, sepse puna e agronomit të mbrojtjes së bimëve ndikon drejt për së drejti në ushqimin dhe tryezat tona.

Klajdi thekson se e aq sa të rëndësishme janë studimet, po aq është edhe praktika në terren, të cilën ai e ushtron sa herë kthehen në fundjavë tek prindërit e tij në zonën e Beratit.

I hidhem terrenit dhe sa herë që mbarojë dhe kthehem në familje fundjavave nuk reshtem aty por së bashku me ndihmën e një agronomi i cili është ekspert tashmë, unë si student i kësaj fushe dalim në terren, shkojmë në sera. Shoh që fermeri ka nevojë për një këshillim të drejt dhe të përgjegjshme.

Ai po ashtu ka treguar edhe detaje nga praktika e tij e përditshme, duke u kujdesur të ndërthurë njohuritë e marra në Universitet, me ato të cilat i zbaton në terren.

Shikojmë simptomat kryesore tek gjethet, te kokrra e ullirit, këtu e kemi në degë.

Për Klajdin, kjo degë nuk është vetëm një trashëgimi por edhe një pasion që për të ka një rëndësi të madhe.

I bëj thirrje të rinjve dhe i ftoi që të kontribuojnë në fushën e bujqësisë, të studiojnë të hulumtojnë aty, sepse pa bujqësi ne nuk kemi jetë.