Bota

Sulm masiv rus ndaj sektorit të energjisë së Ukrainës!

Ushtria ruse kreu një sulm masiv ndaj sektorit të energjisë të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Rrjeti energjetik i Ukrainës është goditur rëndë që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj, më 2022-shin dhe Kievi e ka akuzuar Moskën për taktika “terrori”, duke thënë se po tenton të zhysë në terr qytetet ukrainase e të lërë pa ngrohje civilët gjatë stinës së dimrit.

Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, tha se infrastruktura energjetike është “nën sulmin masiv të armikut”, pasi në mbarë vendin u lëshuan alarme për sulme me raketa. Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia ka kryer një sërë sulmesh me raketa lundruese e dronë në mbarë vendin, përfshirë Kievin, Harkivin e qytetin-port të Odesës.

Sërish, sektori i energjisë është nën një sulm masiv të armikut. Sulmet ndaj objekteve të energjisë po kryhen në mbarë shtetin, tha Galushchenko. Operatori kombëtar i rrjetit elektrik, Ukrenergo u shpreh se  “në mënyrë urgjente zbatoi ndërprerjet e energjisë”, duke shtuar se temperatura kanë rënë në 0 gradë Celcius.

Kompania e Shpërndarjes, DTEK njoftoi se Ukrenergo po zbaton reduktime të energjisë në rajonet e Kievit, Odesës, Dnipros e Donjeckut.

Sipas Forcave Ajrore ukrainase, sulmet ruse janë duke vazhduar.

Sapo situata e sigurisë të na e lejojë, ne do të kuptojmë saktë pasojat e sulmeve, vuri në dukje Galushchenko.

Shefi i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vala e re e sulmeve tregon se Rusia po “vazhdon me taktikat e saj të terrorit”. Zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, pati paralajmëruar se sulmet ruse ndaj infrastrukturës së energjisë të Ukrainës mund ta bëjnë këtë dimër “më të rëndin që nga nisja e luftës”.

Më herët gjatë javës, Rusia tha se po përgatitet të kundërpërgjigjet, pasi e akuzoi Ukrainën se e ka sulmuar me raketat amerikane, ATACMS. Moska sulmoi qytetin ukrainas Dnipro, me një raketë të re balistike. Presidenti Vladimir Putin ka kërcënuar se kjo raketë, e aftë të transportojë armë bërthamore, mund të përdoret ndaj shteteve perëndimore, nëse e lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre për të sulmuar territorin rus.

Sot, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se ka rrëzuar 25 dronë që Ukraina lëshoi gjatë natës, përfshirë 14 mbi Krasnodar e, që gjendet në lindje të Gadishullit të aneksuar të Krimesë. Guvernatori i Krasnodarit deklaroi se një grua u plagos, pasi copëzat e dronëve të shkatërruar, ranë rreth 100 kilometra në lindje të urës së Kërçit, që lidh Krimenë me Rusinë. Që kur ka nisur lufta, Kievi e ka shënjestruar disa herë këtë urë.