Presidenti amerikan, Joe Biden dënoi sulmin ajror të Rusisë në Ukrainë e përsëriti mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën. Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Biden e konsideroi “tronditës”. “Amerika vepron së bashku me më shumë se 50 vende për të mbështetur Ukrainën dhe luftën e saj për liri”, tha Joe Biden.
Duke vënë në dukje se shumë civilë ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e sulmit ajror rus, Biden theksoi se administrata amerikane vazhdon punimet për të ndihmuar Ukrainën që të rrisë qëndrueshmërinë e rrjetit të saj energjetik, me qëllimin e përgatitjes për dimër.
Zyrtarët ukrainas njoftuan se Rusia kreu një sulm “masiv” ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke e goditur me 200 raketa e dronë. Miliona njerëz mbetën pa energji elektrike. Forcat ukrainase pretendojnë se eliminuan 76 raketa e 32 dronë. Sulmi i dytë i madh ajror ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës në më pak se dy javë ka shtuar frikën se Kremlini synon që të dëmtojë kapacitetet e prodhimit të energjisë ndërsa po afron dimri.
Zyrtarë të energjetikës në Ukrainë thanë se dje sulmet ndodhën në të gjithë vendin, duke çuar në ndërprerje të energjisë në rang kombëtar. Në disa rajone, raketat me municione thërrmuese ranë mbi objekte civile, siç njoftoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Ky përbën përshkallëzim të luftës.
Municionet thërrmuese lëshojnë bomba të shumta e më të vogla në një zonë të gjerë, duke rrezikuar civilët si para dhe pas sulmit. Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se Rusia po shton numrin e raketave të ndryshme, me gjasa, për një tjetër ofensivë ajrore kundër rrjetit energjetik të Ukrainës, përpara dimrit. Rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar nga sulmet ruse.
Presidenti rus, Vladimir Putin u shpreh se “Rusia mund të përdorë raketën e re hipersonike Oreshnik për të sulmuar objektet qeveritare në Kiev, në përgjigje të sulmeve të Ukrainës me raketa perëndimore ndaj territorit rus”. Gjatë luftës 33 mujore, Moska zyrtare nuk ka goditur ministritë, godinën e parlamentit apo pallatin presidencial. Ukraina është fuqimisht e mbrojtur nga sistemet ajrore por presidenti rus thotë se raketa Oreshnik është aq e shpejtë sa nuk mund të eliminohet, pretendim që shihet me skepticizëm nga ekspertët perëdimorë.