Ushtria izraelite njoftoi se kreu sulme të reja kundër vendeve të lidhura me figura të regjimit iranian, por nuk dha hollësi.
Ministria e Energjisë e Iranit njoftoi se në shënjestër ishin objektet e furnizimit me energji në kryeqytetin Teheran, duke shkaktuar ndërprerje në disa lagje.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëri të ditur se i ka dhënë urdhër ushtrisë të avancojë më tej në jug të Libanit, për të zgjeruar atë që e quajti “brezi ekzistues i sigurisë”.
Netanyahu deklaroi se qëllimi ishte të parandalohej kërcënimi nga Hezbollahu, i mbështetur nga Irani dhe që konsiderohet “organizatë terroriste nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara”. Izraeli kërkon të ndalë lëshimin e raketave nga zona.
Jemi të vendosur ta ndryshojmë rrënjësisht situatën në jug të Libanit.
Pakistani kërkon të presë bisedimet
Më herët gjatë ditës, Pakistani tha se po kërkonte të organizonte bisedime të drejtpërdrejta paqeje në Islamabad këtë javë, por dhuna në Lindjen e Mesme dhe retorika e ashpër mes Uashingtonit e Teheranit, nuk tregojnë shenja zbutjeje.
Uashingtoni dhe Teherani nuk komentuan mbi bisedimet e propozuara të paqes, ndërsa viktimat dhe dëmet në Lindjen e Mesme vazhdojnë pa ndërprerje.
Në një zhvillim të ri gjatë fundjavës, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen hynë në konflikt, duke lëshuar raketa drejt Izraelit, përfshirë një breshëri të tretë, sot herët.
Këto zhvillime vijnë ndërsa mijëra marinsa amerikanë të tjerë mbërritën në rajon. Amerika vijon të hedhë bazat për një pushtim të mundshëm tokësor të Iranit, megjithëse zyrtarët amerikanë thanë se nuk është marrë asnjë vendim nëse do të pushtohet apo jo Republika Islamike.