Bota

Sulmet vdekjeprurëse në Ukrainë, Trump: Putin po luan me zjarrin!

Presidenti amerikan Donald Trump, sërish kritikoi ashpër liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, pasi dy ditë më parë, Rusia përmbylli një fushatë bombardimesh triditore, me sulmin më të madh ajror të luftës mbi trivjeçare. Trump tha se deri tani e ka “mbrojtur” Rusinë nga masa të dhimbshme të pazbuluara, por la të kuptohej se po humb durimin pasi Putin po vazhdon të shpërfillë thirrjet e tij për armëpushim.

Ajo që Vladimir Putini nuk e kupton është se po të mos isha unë, shumë gjëra të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë dhe e kam fjalën për GJËRA VËRTET TË KËQIJA. Ai po luan me zjarrin!

Zyrtari rus i sigurisë, Dmitry Medvedev, iu përgjigj kritikave të Trump-it duke aluduar në Luftën e Tretë Botërore.

Sa i përket fjalëve të Trump-it se Putin “po luan me zjarrin” dhe për “gjëra vërtet të këqija” që mund t’i ndodhin Rusisë, unë njoh vetëm një GJË VËRTET TË KEQE: Luftën e Tretë Botërore. Shpresoj që Trump ta kuptojë këtë!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia hodhi më shumë se 900 raketa në Ukrainë gjatë bombardimeve që përfunduan më 26 maj. 13 civilë u vranë në sulmet e 25 majit. Moska deklaroi se ka goditur vetëm “objektivat ushtarake” në Ukrainë.

Sulmi i 26 majit ishte më i madhi që nga fillimi i pushtimit rus, mbi tri vjet më parë dhe ndodhi një ditë pasi Trump shkroi në rrjetet sociale se Putin ishte “plotësisht i çmendur”. Autoritetet ruse njoftuan mbrëmë se Ukraina ka kryer një sulm të madh me dronë kundër Rusisë. Sipas tyre, mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi 112 dronë ukrainas.

Para sulmit triditor të Rusisë, grupi i G7-ës dhe Kongresi Amerikan shtynë administratën të vendoste sanksione ndaj Rusisë për mospranimin e armëpushimit të menjëhershëm 30-ditor. I kontrolluar nga republikanët e Trump-it, Kongresi ende nuk e ka çuar për votim projektligjin më të fundit për sanksione ndaj Rusisë.

Kur u pyet javën e kaluar pse nuk vendosen sanksione ndaj Rusisë pasi Putin sërish e shpërfilli thirrjen për armëpushim, Trump tha se kjo do ta largonte udhëheqësin e Kremlinit në një kohë kur ai ndiente se po bënte përparim. Trump e ka bërë përfundimin e luftës në Ukrainë prioritet kryesor të politikës së jashtme që kur mori detyrën më shumë se katër muaj më parë. Në mars, iu bëri thirrje palëve ta pranojnë menjëherë një armëpushim 30-ditor.