Bota

Takim i fshehtë mes Trump Jr. dhe Erdogan javën e kaluar, opozita turke akuzon presidentin se ka kryer bisedime për të ardhmen e Gazës dhe biznes!

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është takuar javën e kaluar në Stamboll me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit amerikan, gjatë një vizite të paparalajmëruar, raportoi faqja e lajmeve Middle East Eye, duke cituar burime të afërta me zhvillimet.

Lajmi u bë publik për herë të parë të mërkurën nga lideri i opozitës turke, Ozgjur Ozel, kryetar i Partisë Popullore Republikane (CHP), i cili akuzoi Erdoganin për negociata të fshehta me Trump Jr. në lidhje me çështjen e Gazës.

“Në protokoll ai u shënua thjesht si ‘biznesmen’, pa përmendur emrin,” – tha Ozel gjatë një tubimi në Stamboll. “Ndërsa Palestina po gjakoset, ata merren me marrëveshje biznesi përmes djalit të Trump-it.”

Ozel shtoi gjithashtu se, ndërkohë që Erdogan kritikon publikisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, nuk thotë asnjë fjalë për “sponsorin e vërtetë” të konfliktit, që sipas tij është Donald Trump.

Një burim i afërt me Erdoganin, që foli për Deutsche Welle, konfirmoi takimin me Donald Trump Jr., por e përshkroi atë si një “vizitë kortezie”, duke mohuar çdo diskutim zyrtar për Gazën apo ndonjë çështje tjetër specifike. Burimi e cilësoi si të pabazuara akuzat e liderit opozitar.

Edhe pse nuk mban një pozicion zyrtar në administratën e të atit, Trump Jr. konsiderohet si një figurë me ndikim të madh në rrethin e ngushtë të ish-presidentit, dhe aktualisht shërben si zëvendësdrejtor ekzekutiv i “Trump Organization”. Gjatë vizitës në Turqi, ai u shoqërua nga një grup biznesmenësh me qëndrime të afërta me të.

Kjo nuk është hera e parë që Donald Trump Jr. viziton Turqinë, në vitin 2016 ai zhvilloi takime të ndryshme investimi në Stamboll.

Ndërkohë, Erdogan ruan marrëdhënie të mira me Donald Trump, dhe burime turke i thanë Middle East Eye se presidenti turk synon një takim bilateral me Trump-in senior javën që vjen, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Tema të mundshme të diskutimit përfshijnë:

Blerjen e avionëve luftarakë F-16 dhe mundësinë për të rifituar akses në programin F-35

Çështjen e kurdëve sirianë dhe përfshirjen e tyre në qeverinë e Damaskut

Tensionet me Izraelin lidhur me Gazën dhe Sirinë

Burime nga rajoni konfirmojnë gjithashtu se Trump Jr. është udhëtar i rregullt në Lindjen e Mesme, duke përfshirë vizita në Riad dhe Doha, ku shpesh ka shoqëruar të atin në vizita zyrtare.