Qeveria e Izraelit miratoi njëzëri njohjen zyrtare të ngjarjeve të rënda të vitit 1915 si gjenocidi armen. “Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur”, deklaroi ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Në Jerusalem, komuniteti armen shprehu kënaqësinë pas shumë vitesh pritjeje. Sa’ar e informoi kabinetin se kishte marrë madje edhe një letër vlerësimi nga Kisha Armene dhe komuniteti armen i Qytetit të Shenjtë.
Në planin politik, vendimi u mbështet nga kryeministri i shtetit hebre, Benjamin Netanyahu. Qeveria theksoi se bëhet fjalë për një zgjedhje të bazuar në njohjen e një ngjarjeje historike që tashmë është pranuar nga shumë shtete të tjera, siç kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara.
Por për Turqinë, kjo temë mbetet tabu. Lëvizja e Izraelit duket e destinuar t’i tensionojë edhe më tej marrëdhëniet me Ankaranë, e cila prej kohësh refuzon ta cilësojë si gjenocid masakrën ndaj armenëve të kryer nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ministria e Jashtme turke reagoi duke deklaruar se bëhet fjalë për një vendim “politik” që, sipas saj, synon të mbulojë krimet e Izraelit.
Vetë presidenti Recep Tayyip Erdogan nuk iu përgjigj drejtpërdrejt vendimit të ekzekutivit izraelit, por gjatë një aktiviteti të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) përsëriti se: “Në Gaza është kryer një gjenocid. Pa asnjë dyshim, ne do t’i kërkojmë llogari për këtë.”
Nisma izraelite u njoftua pasi presidenti amerikan Donald Trump lavdëroi Erdoganin, duke deklaruar se:
“Ai bëri gjithçka që i kërkova. Mund të kishte dalë në mbështetje të Iranit, sepse nuk është një admirues i madh i Izraelit. Por unë i kërkova të qëndronte jashtë kësaj çështjeje dhe ai ashtu bëri”, pohoi Trump.