Rajoni

Takimi i Ohrit, ambasadori amerikan Hovenier: U arrit marrëveshje e rëndësishme!

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e quan “të rëndësishme” dakordësinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb, Aleksander Vuçiç për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Pas takimit maratonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me ndërmjetësimin e negociatorëve europianë, Borrell e Lajçak, si dhe praninë e zyrtarit amerikan Escobar si vëzhgues, diplomati i Uashingtonit shprehet:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të çuar përpara sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës e rajonin.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell bëri të ditur se edhe pse zyrtarisht, palët vendosën të mos e nënshkruajnë  marrëveshjen, ata ranë dakord të fillojnë zbatimin e saj, sa më shpejt të jetë e mundur.

Eshtë e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për Kosovën e Serbinë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e detyron Serbinë ta njohë Kosovën, por nga të dyja vendet kërkon t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat e targat.

Po ashtu, duhet që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha se “dakordësia e arritur në Ohër është njohje reciproke de facto e Kosovës dhe Serbisë”.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit, u shpreh:

Eshtë fjala për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, jo për vetëqeverisje.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë.