Rajoni

Normalizimi i marrëdhënieve, dakordësi Kurti-Vuçiç për zbatimin e marrëveshjes/Por, nuk ka firma në akord!

Liderët e Kosovës e të Serbisë ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, të mbështetur nga BE-ja. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell foli pas takimit të djeshëm në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç:

Kjo është arritje e rëndësishme. Palët pranuan që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, të bëhen pjesë integrale e rrugëve përkatëse drejt Bashkimit Europian.

Edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ranë dakord që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojnë zbatimin e saj.

Eshtë e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm i Kosovës e Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë e prosperitetin e të gjithë rajonit.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e detyron Serbinë ta njohë Kosovën, por nga të dy vendet kërkon t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat e targat.

Po ashtu, palët duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Deri tani, qeveria e Albin Kurtit e refuzonte, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit, si edhe shkelet Kushtetuta e Kosovës. Por, për Beogradin zyrtar, Asociacioni përbën kusht kryesor e shërben si mbrojtje për serbët. Në Kongresin Amerikan, dy ligjvënës kërkuan reciprocitet.

Përmes një letre dërguar sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, anëtarët e Kongresit Amerikan, Jim Himes e Ritchie Torres kërkojnë që nga marrëveshja që mund të arrihet, të respektohet reciprociteti.

Sipas tyre, dialogu është ndërtuar për të arritur marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të detyrueshme, përfshirë njohjen reciproke.  Kongresi kërkon të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe në veri, si edhe sugjeron diçka të ngjashme në jug të Serbisë, për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Sa i përket Kosovës, Borrell shtoi:

Ra dakord që t’i nisë menjëherë negociatat me BE-në, për të siguruar nivelin e duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.