Kryetari i PD, Sali Berisha iu premtoi prodhuesve të bimëve medicinale se do të negociojë me qeverinë e SHBA-së për zero tarifa.
Por, nëse kjo nuk do pranohet nga Shtëpia e Bardhë, atëherë ai tha se do kompesojë plotësisht tarifën e eksportit.
“Ne do të vendosim zero tarifa me kërkesën që qeveria amerikane të na përgjigjet edhe ne me tarifat zero. Supozojmë se qeveria amerikane, për arsyet e veta, nuk e adapton këtë, ne do t’ju kompensojmë plotësisht tarifën e eksportit të vendosur nga vendet ku ju eksportoni”,tha ai.
Berisha gjithashtu premtoi se PD do angazhojë një ekspertizë shkencore për të fuqizuar sektorin e bimëve aromatike dhe shtoi se do ofrohen kredi të buta në të cilat qeveria do të mbulojë 80 për qind të interesit, sipas sektorëve.
“Prodhimet më të famshme tonat janë bimët aromatike dhe etero-vajore, më të pëlqyerat, më të preferuarat në tregjet ndërkombëtare. Kjo nënkupton që ne këtij sektori do i vëmë një rëndësi shumë të madhe. Do krijohen lehtësi të mëdha logjistike të grumbullimit të këtyre bimëve. Do krijohen lehtësi të mëdha për industrinë e përpunimit të tyre në vend”, tha ai.
Ndër të tjera, Berisha nga selia blu u shpreh se taksa e strehimit social, e cila është 3% do shfuqizohet tërësisht.
Kryedemokrati vijoi duke thënë se PD synon një revolucion fiskal, e cila synon krijimin e një klime më miqësore për biznesin.
Berisha: Taksa e strehimit social është 3%, shfuqizohet tërësisht. Taksat lokale, do të jenë maksimumi 1% e xhiros. Sot janë pa tavan, arrijnë në 8-10% të xhiros. Së fundmi taksat tabu që e paguan çdo shqiptar në çdo gjë që blen, për gjithçka, nga 20% zbret në 15%. Kjo është rekord do thosha, bëhet taksa më e ulët në Europë.
Me këtë revolucion fiskal, ne synojmë të krijojmë klimën më miqësore për biznesin. Të krijojmë mundësi për investimi për biznesin. Ky sistem fiskal rrit 13% të rrogave të shqiptarëve pavarësisht nga premtimi ynë për rrogën mesatare 1200 euro. Dallimi është si nata me ditën.