Celebrities Live From Tirana

“Tani gjithçka blihet dhe mua nuk më shijon ashtu”/ Ekskluzivisht për TAR, Klajdi Musabelliu i tregon të gjitha!

Ditën e sotme, i ftuar në emisionin “Live From Tirana”, nëpërmjet një lidhjeje telefonike ishte këngëtari i njohur Klajdi Musabelliu. Së fundmi, Klajdi ka bërë një deklaratë ku i ka dërguar letër të hapur virtuale Babagjyshit, që të rikthehet në skenë. Ai ka shkuar:

I dashur Babagjysh i Vitit të RI! Mbi të gjitha uroj të jesh mirë me shëndet dhe ku di unë, nëse e ke kaluar Covid-in, ta kesh kaluar lehtë, apo të jesh vaksinuar për siguri. Dëshira ime Babagjysh, ka të bëjë pikërisht me ëndrrat, por jo ato që ne shohim kur flemë gjumë, por ato që i bëjmë realitet, ato që s’të lenë më të flesh gjumë, por që pa dashur i lemë si për gjysëm rrugës, për një arsye, a për një tjetër…Ti Babagjysh e di që mua më pëlqen shumë fare dhe vetëm të këndoj. Pavarësisht se si femijë që jam, ndonjëherë e humbas rrugën rrugës, dhe më duket sikur dashurohem edhe me të tjera gjëra, por e vërteta është se zemra ime dhe unë rrahim dhe jetojmë vetëm me muzikën. Megjithatë Babagjyshi, të kërkoj të më lumturosh edhe mua nëse mundesh, e të ma plotësosh këtë dëshire të fundit, e cila është të bësh të mundur rikthimin tim në skenë. Më mungon shuuumë fare ajo skena e madhe, e bukur dhe të kënduarit aty.

https://www.instagram.com/p/CWBphxINAHb/

Si lindi e gjitha kjo? Këngëtari shprehet se:

Unë edhe pse jam 38 vjeç, ngelem prap femijë, se janë disa punë që i bëj me pasion dhe i dua si fëmijë. Edhe pse në këtë rast nuk ishte tamam për Babagjyshin, ishte për diçka tjetër, por për një arsye apo për një tjetër nuk doja të bëja grindavecin sepse edhe ashtu nuk fiton gjë.

Pavarësisht gjithë lodhjes apo lëndimit që ndjeva në një moment të caktuar vazhdova përpara. Megjithëse unë kam qenë gjithmonë në ‘backstage’, kam bërë tekste këngësh, muzikë, kam bërë zërin në disa filma për fëmijë. E kuptoj që më mungon ajo gjëja që ishte më përpara, vëmendja, mbështetja. Babagjyshi është edhe radio, media, televizioni. Tani gjithçka blihet, jo sepse s’kam lek të blej klikime por nuk më shijon ashtu. Unë bëj gjëra të vërteta nuk bëj budallallëqe, me gjithë respektin për ata që bëjnë budallallëqe. Harrojnë që janë në qendër të vëmendjes dhe influencojnë në rritjen e brezave. Shikoj fëmijët e lagjes që dëgjojnë këngë të forta dhe nuk kanë as filtër asgjë. Dashje padashje edukohen dhe brezat dhe jam përpjekur të bej diçka të bukur, selektive. Kjo ndodh kudo në botë edhe në Amerikë, por ne jemi vend i vogël dhe më dhimbsen shqiptarët, duke e parë kështu pak më gjerë. Këtë vit kam prodhuar dy këngë dhe më mungon magjia e skenës, impakti i vërtetë. Nuk është e njejta gjë si të këndosh në club-e apo lokale dhe të këndosh në “Top Fest”.

Çfarë thirrje ka Klajdi për të gjithë dëgjuesit dhe artdashësit?

Njeriu ka nevojë për art e sidomos në kohë të vështira është si ajo buka që na mban gjallë. I shërben trurit, mentalitetit të njeriut dhe është si një stimul i jashtëm po aq i rëndësishëm. Një këngë e mirë është si një mish i fresket. Dua që njerëzit të më njihnin për këtë që jam dhe si jam. Më vjen keq që jemi në prag të vitit 2022 dhe nuk kemi një ligj që mbron të drejtën e autorit. Unë s’kam dëshirë të këndoj nëpër tallava lart e poshtë, por hapësirat këto janë. Unë kam tjetër stil dhe e ndjej që jam në luftë kundër vetes dhe kohës. Përpiqem të bëj diçka që vlen. Kur vjen puna tek profesioni dhe pasioni, aty ndryshon puna. Dua të bëj këtë punë dhe ta bëj në mënyrën si dua unë.