Bota

Të armatosur me kallashnikovë në ‘krye të detyrës’, bien në pranga dy shqiptarët në Spanjë, ishin duke ruajtur kanabisin!

Policia Kombëtare spanjolle ka arrestuar dy shtetas shqiptarë në provincën Cádiz, pasi i kapi duke ruajtur rreth një ton kanabis, të armatosur me armë lufte.

Sipas burimeve nga hetimi:

Të arrestuarit mbanin pushkë automatike të tipit Kallashnikov (AK-47) dhe ndodheshin në një banesë në zonën Pelayo, në Algeciras. Droga kishte mbërritur në Cádiz përmes plazheve të Algecirasit dhe Tarifës, me anije të përdorura nga rrjetet e trafikut të drogës.

Operacioni policor ishte rezultat i një hetimi paraprak, i cili çoi në identifikimin e një prone të përdorur nga organizata kriminale si depo ruajtjeje, e njohur në zhargonin policor si “çerdhe”, ku fshihen dhe ruhen sasi të mëdha lëndësh narkotike. Gjatë ndërhyrjes, agjentët arrestuan dy shtetas shqiptarë, të ngarkuar me ruajtjen e drogës. Ata kishin në posedim tre pushkë automatike Kallashnikov, të mbushura, në gjendje të plotë funksionale dhe të gatshme për përdorim të menjëhershëm.

Të paraburgosurit u paraqitën para Gjykatës së Detyrës në Algeciras mëngjesin e 9 dhjetorit, ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”. Policia e cilëson përdorimin e këtij lloji armatimi nga organizatat e trafikut të drogës si “veçanërisht shqetësues” në zonën e Campo de Gibraltarit, e cila konsiderohet strategjike për rrugët ndërkombëtare të trafikut të drogës.