Japonia rikonfirmon vdekjen nga “superpuna”. Nga zyra japoneze e verifikimit të kushteve të punës, si i tillë u klasifikua rasti i një punonjësi marketingu i “Sony”-t në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili ndërroi jetë në janar të 2018-ës nga infarkti dhe familja e 40-vjeçarit kërkoi dëmshpërblim që fillimisht iu refuzua.
Më pas familjarët e viktimës ndërmorën një hetim të pavarur përmes të cilit konfirmuan se në tre muajt para vdekjes, mesatarisht ai kishte një shtesë prej 80 orësh në muaj të mohuara nga kompania japoneze e pajisjeve elektronike. Por pas zhvillimeve të fundit, “Sony” zotohet t’i trajtojë ankesat dhe për të parandaluar përsëritjen e të tilla tragjedive, të ndjekë me seriozitetin maksimal gjendjen shëndetësore të stafit.
Me fjalë të tjera ky është një tjetër rast “karoshi”, i konsideruar problem social në Japoni ku puna tejkalon një orar të përcaktuar. Të shumta janë ndërmarrjet e akuzuara vitet e fundit se e ekzagjerojnë me oraret ndërsa qeveria i dha dritën jeshile fushatave për t’iu kërkuar punonjësve të punojnë më pak e kompanive të shkurtojnë orët e punës. Nga të dhënat e fundit zyrtare që datojnë 2019-ën, në Japoni u konfirmuan 174 raste vdekjesh nga puna përtej orarit, 88 prej tyre i dhanë fund jetës duke u vetëvrarë.