Bota

Të ngecurit në shpellë, në garë kundër motit

Në një video të publikuar së fundmi shfaqen 12 djemtë tajlandezë dhe trajneri i tyre i futbollit, që janë bllokuar në një shpellë, në të cilën ata thonë se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata u gjetën të hënën pas nëntë ditësh të bllokuar thellë në shpellë nga uji në rritje, dhe që nga ajo kohë kanë marrë ushqim dhe trajtim mjekësor. Por shpëtimi i tyre mund të zgjasë disa muaj, pasi ata duhet të mësojnë të zhyten ose të presin që niveli i ujit të ulet. U deshën zhytës profesionistë që të mbërrinin deri te djemtë e t’i gjenin, ndërsa ekspertët thonë se është e pamundur që atyre t’u mësohet të bëjnë të njëjtën gjë, sidomos në kushtet e shpellës. Kjo e fundit, në disa vende është kaq e ngushtë saqë është e detyrueshme zhytja e lirë pa bombola oksigjeni, e pamendueshme për futbollistët e vegjël. Autoritetet janë të shqetësuara se, stina e reshjeve sapo ka nisur dhe niveli i ujërave brenda tokës do të vazhdojë të rritet, prandaj djemtë duhen nxjerrë që aty sa më shpejt të jetë e mundur.