Aktualitet

Të shtënat në Tiranë dhe automjeti i djegur në Tapizë, ja lidhja!

Detaje policore mbi ngjarjen e dy ditëve më parë në Tiranë ku në rrugën “Besim Cerra” në Paskuqan u konstatuan shenja të të shtënave me armë zjarri në murin e banesës së shtetasit Qazim Kupa, i cili jeton jashtë vendit. Ndërkaq, dje në Tapizë u gjet e djegur një “Peugeot”, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Brenda makinës u zbuluan dy armë zjarri automatike dhe një krehër fishekësh. Nga grupi hetimor vijojnë hetimet e verifikimet për të hedhur më shumë dritë. Policia njofton se po vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet: 

Në vijim të informacionit të dhënë, ku në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë, u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër, brenda një automjeti tip “Peugeot”, të djegur plotësisht, bëjmë me dije se:

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur me datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, ku në murin rrethues të banesës së shtetasit Q.K., (i cili banon jashtë shtetit) janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i armës së zjarrit.

Ngjarja e ndodhur është konstatuar pas hetimeve dhe verifikimeve intensive të kryera nga grupi hetimor. Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.