Më duket që nuk kam nisur të shkruaj me kaq pasion që prej shumë, shumë kohësh. Mesa duket tema ia vlen! Më në fund, do shkruaj për diçka që na përket, mua, ty, të gjithave ne… Okay, më duhet ta pranoj që vëmendjen këto kohë na e ka marrë trekëndëshi Kanye-Kim-Pete, ose ai shqiptari me dedikime këngësh dheee (kush e kuptoi, e kuptoi). Më pëlqen dhe kjo mënyra si shkruaj, ku shenjat e pikësimit i vendos unë, drejtshkrimin e vendos unë, rregullat i vendos unë. (Të paktën diku po i vendos unë rregullat.)
Nejse le t’i rikthehemi temës. Po flisja për rregullat. Ndonjëherë dua të vendos rregullat e atyre që do më rrethojnë, kush, kur, pse dhe si. Por burrat nuk e kuptokan këtë pjesë dukshëm. E ke ndjerë ndonjëherë veten të gjykuar, komentuar, apo thjesht shuuumë të parë?! Ti thjesht po ecën dhe ke një shikim që të ndjek, pale kur të ndjek dhe vetë ai tra*i bashkë me shikimin…
Unë e kam ndjerë, shoqet e mia e kanë ndjerë. Dhe para se të thoni jo po barku jashtë, jo po dekolteja e hapur, jo po fundi i shkurtër (me të cilat nuk kam asnjë problem gjithsesi), kam ndjerë një shikim që më ndiqte edhe në mes të dimrit me xhup, çizme, kapuç dhe shall, pa asnjë grimcë lëkure të ekspozuar, se kush do me t’i ngul sytë e bën!
Është e turpshme, që sot, në vitin 2022 në mes të Tiranës, apo çdo qyteti tjetër të kesh frikë të ecësh, të kesh frikë të vendosësh grim, të kesh frikë të jesh e re, e lirë… Unë po e mbaj soft gjithsesi, pa përmendur qindra e qindra raste ku dhunime, përdhunime dhe madje vrasje janë bërë në Shqipërinë tonë të vogël, “sepse ajo ishte veshur për të provokuar”. Dhe meqenëse të ashtuquajturat ‘feministe’ bëjnë protesta, shkrime e ndërgjegjësime vetëm pasi e keqja ka ndodhur, unë po e zgjedh ta bëj sot. Në një ditë të thjeshtë prilli, ku njerëzit nuk po flasin për të drejtat e grave dhe vajzave, sepse ngritja e çmimeve, incidenti Will Smith-Chris Rock, madje dhe moti i ngrohtë me diell ditën e sotme janë më të rëndësishme se e drejta e një vajze për të ecur në rrugët e Tiranës pa patur frikë se do e përdhunojnë, unë po zgjedh këtë çështje!
Nuk e di për kë është ky shkrim më shumë. Ndoshta për ata djem atje jashtë që do kuptojnë sa të neveritshëm dhe të pështirë janë kur na bëjnë të ndjejmë turp për trupin tonë. Ose ndoshta për ato vajza të reja plot jetë që kanë frikë se do detyrohen të bëjnë diçka pa dëshirën e tyre. Dua të theksoj diçka:
Trupi im është trupi im, dhe unë bëj me të çfarë të dua unë!
Mos më ndiq më me shikim!
Kur them ‘jo’ është ‘JO’!