Të paktën 10 persona u vranë dhe 48 u plagosën në mëngjes nga një sulm i madh rus me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës. Rusia sulmoi në një kohë kur po hasin vështirësi përpjekjet e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës mbi 3-vjeçare.
Dy fëmijë janë në mesin e të vrarëve, siç raportoi ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko. Numri i viktimave pritet të rritet teksa ekipet e shpëtimit po punojnë në terren për të nxjerrë njerëzit e mbetur nën rrënoja.
Rusia zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së bisedimeve, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një postim në X pas goditjes. Ne presim reagim nga ata që kanë bërë thirrje për paqe nga e gjithë bota, por që sot gjithnjë e më shpesh po heshtin në vend që të mbajnë qëndrim parimor.
Rusia përdori dronë mashtrues, raketa lundruese dhe raketa balistike, deklaroi Tymur Tkachenko, kreu i administratës së Kievit. Të paktën 20 zona në shtatë rajone të Kievit u goditën. Pothuajse 100 ndërtesa u dëmtuan, përfshirë një qendër tregtare në qendër të qytetit dhe mijëra dritare u thyen.
Sulmet ruse goditën pjesën qendrore të Kievit, në një nga rastet e rralla kur sulmet kanë depërtuar thellë brenda kryeqytetit ukrainas që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë, në shkurt 2022.
Sulmi është i pari i madh dhe i kombinuar me dronë e raketa që Rusia e kryen në Kiev që prej takimit të presidentit amerikan Donald Trump, me presidentin rus Vladimir Putin, në Alaskë, në fillim të këtij muaji, për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Liderët perëndimorë e kanë akuzuar Putinin se po i zvarrit përpjekjet për paqe dhe se po i shmang bisedimet, ndërkohë që trupat ruse depërtojnë më thellë brenda Ukrainës. Këtë javë, udhëheqësit ushtarakë ukrainas pranuan se forcat ruse kanë depërtuar në rajonin e tetë të Ukrainës, në kërkim të kapjes së më shumë tokave. Zelensky shpreson për sanksione më të ashpra amerikane për ta gjunjëzuar ekonominë ruse, nëse shefi i Kremlinit Putin nuk tregon seriozitet për përfundimin e luftës.
Të gjitha afatet tashmë janë shkelur, dhjetëra mundësi për diplomaci janë shkatërruar.