Bota

Sulm masiv rus ndaj Kievit, një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur!

Një person humbi jetën dhe të paktën 21 të tjerë u plagosën pasi Rusia ndërmori një valë të re sulmesh me raketa balistike dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit. Mes objekteve të goditura ishte edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan gjatë gjithë natës në Kiev, ndërsa autoritetet lokale raportuan dëme në disa zona të qytetit, përfshirë godina banimi, shkolla, magazina, një supermarket dhe një qendër tregtare.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, deklaroi se një 15-vjeçar është mes të plagosurve, ndërsa 13 vetë u transportuan në spital, tre prej tyre në gjendje të rëndë.

Sipas administratës ushtarake të Kievit, sulmet goditën më shumë se 40 pika në qytet. Kreu i administratës ushtarake, Tymur Tkachenko, paralajmëroi se “kryeqyteti i është nënshtruar një sulmi masiv balistik”.

Në mesin e objekteve të prekura nga bombardimet ishte kompleksi rezidencial ku jeton ambasadori shqiptar në Ukrainë, duke vënë në rrezik jetën e tij dhe të stafit diplomatik.

Pas ngjarjes reagoi Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ferit Hoxha i dënoi ashpër sulmet ruse ndaj objektivave civile dhe e cilësoi goditjen e rezidencës së ambasadorit shqiptar “të papranueshme”.

Sulmet e fundit vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, premtoi hakmarrje duke akuzuar Ukrainën për një sulm në qytetin Starobilsk, ku sipas autoriteteve ruse humbën jetën 18 persona në një konvikt studentor.