Bota

Zelensky: Bisedimet direkte me Putinin, mënyra më efektive për paqe!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se një takim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin do të ishte “rruga më efektive përpara”, pavarësisht përpjekjeve të ngecura për t’i dhënë fund luftës dhe sulmeve të vazhdueshme me dronë nga të dyja palët. Zelensky u zotua se do “ta shtyjë Rusinë drejt paqes”.

Gjenerali më i lartë i Kievit raportoi se trupat ukrainase kanë rimarrë tri fshatra në rajonin e Donjeckut. Njëkohësisht, Ukraina nisi sulme me dronë ndaj Rusisë, duke shkaktuar një zjarr në një termocentral bërthamor që u shua shpejt. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se njësitë e mbrojtjes ajrore ruse shkatërruan dy dronë që po fluturonin drejt kryeqytetit rus.

Ai u shpreh se shërbimet e emergjencës po punonin në vendin ku ranë mbetjet e dronëve. Një sulm rus la disa vendbanime në rajonin e Sumit pa energji elektrike, siç raportoi kreu i administratës ushtarake rajonale. Trupat ruse sulmuan gjithashtu infrastrukturën civile në Sumi duke përdorur bomba të telekomanduara dhe dronë sulmues. Nuk u raportua për viktima.

Sulmet me dronë dhe luftimet tokësore kanë vazhduar pavarësisht përpjekjeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për të ndërmjetësuar një takim mes Ukrainës e Rusisë. Nuk ka pasur asnjë përparim në këtë drejtim që kur Trump priti Putinin për një takim në Alaskë, më 15 gusht.

Zelensky theksoi se një “format bisedimesh mes liderëve është rruga më efektive përpara”, por ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ngriti një pengesë të re për bisedime direkte gjatë një interviste me transmetuesin amerikan NBC.

Reagimi ndaj takimit në Anchorage [të Alaskës], mbledhja në Uashington e përfaqësuesve evropianë dhe ajo që bënë pas Uashingtonit tregon se nuk duan paqe, tha Lavrov për NBC-në. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë garantuesit e sigurisë së Ukrainës.

Duket thënë se deri tani, Kievi dhe aleatët e tjerë nuk e kanë pranuar idenë që Moska të jetë mes garantuesve të sigurisë për një marrëveshje për paqe. Po ashtu, presidenti ukrainas Zelensky e ka hedhur poshtë mundësinë që Pekini zyrtar të luajë ndonjë rol.