Duke tejkaluar edhe pritshmëritë që kishte para zgjedhjeve, Partia Socialiste parashikohet të marrë 12 mandate në Fier, nëse trendi vijon me këto ritme. Gjatë fushatës, drejtuesja e politike e këtij qarku, Belinda Balluku deklaronte synimin për 10 mandate në Fier.
Kur janë numëruar gati 23% e kutive të votimit, 132 nga 587, Partia Socialiste kryeson me 63% të votave, PD-ASHM me 25%, e ndjekur nga Nisma-Shqipëria Bëhet 4%, Mundësia 3%, ndërsa PSD, Djathtas për Zhvillim, Bashkë dhe Koalicioni Euroatlantik me nga 1% secila.
Deri tani janë numëruar 1769 nga totali prej 5225 kutish votimi apo afro 34% e votave. Numërimi vijon, por jo i votave të Diasporës që u ndërpre, pasi votat e ardhura nga Greqia kanë shkaktuar konflikt politik të fortë në orët e vona të një nate më parë.
Numëruesit u vunë nën presion politik nga dy partitë kryesore. Ndërsa Partia Demokratike u kërkonte të mos hapnin asnjë zarf të ardhur nga Greqia, Partia Socialiste i paralajmëroi se po shkelnin ligjin. Në orët e para të mëngjesit sotëm, situata u duk sikur u zhbllokua pas një vendimi të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për të ndarë në një kuti më vete çdo zarf të kontestuar, një vendim ky që u ankimua menjëherë nga Partia Socialiste.