Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ miratoi një vendim që përcakton mënyrën si do të trajtohen zarfet me dokumentacionin e votimit nga jashtë vendit, në rastet kur ato kontestohen. Vendimi u mor në mesnatë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pasi Partia Demokratike bllokoi procesin e numërimit të votave të Diasporës në Tiranë, duke kërkuar një procedurë të veçantë për zarfet që kanë mbërritur nga Greqia.
Ky vendim i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i datës 12 maj 2025, përcakton procedurën për administrimin e zarfit “B” që përmban dokumentacionin e votimit nga jashtë në rastet kur ky dokumentacion nuk vlerësohet nga GNVJ dhe KANVVJ.
Nëse ky dokumentacion nuk konsiderohet i vlefshëm, zarfet “B” nuk hapen dhe futen në një kuti të veçantë të sigurt për ruajtje dhe dorëzohen me procesverbal në KQZ. Vendimi gjithashtu parashikon që vlerësimi i këtyre zarfeve të bëhet sipas procedurës së Kodit Zgjedhor dhe që ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda tre ditësh.
GNVJ është shkurtimi për Grupi i Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë, ndërsa KANVVJ është shkurtimi për Komisioni i Ankimimeve dhe Njoftimit të Vlefshmërisë së Votave nga Jashtë.