Bota

Tensionet në rritje, Trump dërgon 300 anëtarë të Gardës Kombëtare në Çikago!

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e bëri më të gjatë dhe autorizoi vendosjen e 300 anëtarëve të Gardës Kombëtare në Çikago. Trump veproi kështu, në kundërshtim me dëshirën e guvernatorit të Illinoisit. Shtëpia e Bardhë e njoftoi lajmin mes tensioneve në rritje në qytet dhe periferitë e tij. Kjo për shkak të kontrolleve të agjentëve federalë ndaj emigrantëve të paligjshëm.

Pati raportime se një grua u plagos nga të shtënat me armë zjarri nga ana e oficerëve të forcave të rendit, gjatë një operacioni sigurie në lagjen Brighton Park.

Mes trazirave të dhunshme e mungesës së vazhdueshme të ligjit, që udhëheqësit lokalë si Pritzker kanë refuzuar t’i ndalojnë, presidenti Trump autorizoi 300 anëtarë të Gardës Kombëtare për të mbrojtur agjentët dhe pronën federale, njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson. Presidenti Trump nuk do të mbyllë sytë ndaj mungesës së ligjit që pllakos qytetet e Amerikës.

Ndërkaq, një gjykatëse federale ka bllokuar vendimin e Donald Trumpit për të dislokuar 200 anëtarë të Gardës Kombëtare në Portland të Oregonit, duke vendosur se pretendimet e presidentit për trazirat e përditshme në atë qytet “nuk kanë lidhje me faktet” dhe rrezikojnë ta zhysin kombin në një formë antikushtetuese të sundimit ushtarak.

Ky është një komb me ligj kushtetues, jo me ligj ushtarak, shkroi gjykatësja Karin Immergut, e emëruar nga Trumpi. Sipas Immergut, protestat në Portland nuk paraqesin “rrezik kryengritjeje” dhe “zbatimi normal i ligjit” është i aftë të trajtojë episode të tilla.