Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaroi ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit në IEPV-në e Fierit, ku i paraburgosuri Bledar Selmanaj tentoi të arratiset. Në njoftim bëhet e ditur se përpjekja u regjistrua rreth orës 03:48, me Selmanajn që ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore.
Eshtë ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij. Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve.
Rezulton edhe se Bledar Selmanaj ka tentuar dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Pasi mbështolli duart me peshqir e çarçafë, Selmanaj goditi murin e qelisë në katin e parë, duke hapur një të çarë në të. Pas kësaj, ai doli në oborrin e burgut dhe u ngjit në tarracë nëpërmjet tubave të kullimit.
Referuar burimeve konfidenciale nga burgu i Fierit e të cituara nga mediat, Selmanaj kishte një litar me të cilin do të zbriste duke vazhduar arratisjen. Por, stafi i sigurisë së burgut ka arritur ta kapë duke e dërguar qeli, këtë herë jo në qeli të zakonshme, në izolim.
Prej marsit të vitit 2024, Selmanaj qëndronte në IEVP-në Fier. Ai akuzohet për vrasjen e shokut të tij Xhuljan Bullari, ngjarje e ndodhur në qytetin e Vlorës. I paraburgosuri është në pritje të dënimit teksa organi i akuzës ka kërkuar dënim të përjetshëm për të.