Aktualitet

Vranësira dhe reshje gjatë ditës, kthjellime në mbrëmje!

Këtë të hënë, vendi ynë do të jetë në ndikim të masave ajrore të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira dhe pas orëve të pasdites, mot me kthjellime dhe vranësira të pakta në zonat malore.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut parashikohet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit,  fillimisht në veriperëndim e gradualisht shtrihen në veri dhe lokalisht në qendër të vendit me intensitet të ulët, ndërsa në veriperëndim ka reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë në formën e shtrëngatave dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.

Në mesditë, reshjet pritet të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët, ndërsa në veriperëndim dhe pjesërisht në qendër, reshje shiu me intensitet deri mesatar, hera-herës shtrëngata shiu.

Në orët e pasdites reshjet pritet të lokalizohen përgjatë relieveve malore të vendit me intensitet të ulët. Në mbrëmje ndërpriten.

Era fryn me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 8 m/s dhe hera-herës në bregdet, përgjatë zonave luginore si dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave, pritet të fitojë shpejtësi deri në 20 m/s.

Valëzim në det i forcës 2-4 ballë.