Aktualitet

Tentoi të vriste bashkëshorten, arrestohet 68-vjeçari në Vaun e Dejës!

Një 68-vjeçar në Vaun e Dejës u arrestua pasi tentoi të vriste bashkëshorten. Sipas policisë, dyshohet se për motive xhelozie, Xhabir Hoxhaj e qëlloi dy herë me çifte për ta vrarë. Më pas e goditi me grushte në fytyrë dhe e dëmtoi me xham në qafë e në shpatull.

61-vjeçarja u dërgua në spital ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndaj autorit rëndon akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë. Ndërkohë, iu sekuestruan arma e gjahut, dy gëzhoja dhe 17 fishekë.

Njoftimi zyrtar: 

Vau i Dejës/Qëlloi me armë gjahu çifte drejt bashkëshortes, me qëllim vrasjen e saj, kapet dhe vihet në pranga 68-vjeçari.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e gjahut çifte.

Shërbimet e  Komisariatit të Policisë  Vau i Dejës  pas njoftimit të marrë se një shtetase nga Vau i Dejës  po transportohej për ndihmë mjekësore drejt spitalit të Shkodrës pasi dyshohej se ishte dhunuar nga bashkëshorti, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin rrethanave, kapjen dhe arrestimin  autorit.

Në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër  u bë kapja  e shtetasit Xh. H., 68 vjeç, banues në fshatin Mjedë dhe arrestimi në flagrancë  i tij për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë.

Nga veprimet e para hetimore  dyshohet se 68-vjeçari, për motive të dobëta (xhelozie)  ka qëlluar 2 herë me armë gjahu çifte në drejtim të bashkëshortes për ta vrarë   dhe më pas e  ka goditur me grushte në fytyrë dhe e ka dëmtuar me mjet prerës (xham)  në pjesën e qafës dhe shpatullës.

61-vjeçarja shtetasja Gj.H, ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut çifte, dy gëzhoja dhe 17 fishekë armë gjahu.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.