Policia e Shtetit njoftoi se është finalizuar faza e 90-të e operacionit të koduar “Operacionalja”. Në kuadër të këtij aksioni, në Tiranë u arrestua 51-vjeçari Ylli Misku, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve, ai qe shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Bologna, Itali, në korrik të vitit 2022, me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg.
Ndërkaq, rezulton i dënuar për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Vjedhje në rrethana rënduese”.
Arrestimi u bë nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e tij.

51-vjeçari është vënë në pranga me qëllim ekstradimi drejt Itali, ndërsa vijojnë procedurat për dorëzimin e tij te autoritetet italiane.