Lëvizjet e Ervin Matës, i arrestuar dje në Brazil, ishin nën monitorim prej më shumë se dy vitesh, nga autoritetet shqiptare në disa vende të Amerikës Latine. Sipas hetimeve, Mata jetonte mes Brazilit e Paraguajit, me dokumente të falsifikuara.
Kishte krijuar bazë mes Paraguajit dhe Brazilit, duke u shoqëruar me persona nga grupe kriminale lokale të trafikut të kokainës.
Në momentin e arrestimit, Matës iu sekuestruan dokumente të falsifikuara, përfshirë një pasaportë bullgare e skaduar, një kartë identiteti po bullgare, e pavlefshme, si edhe një kartë identiteti e Paraguajit, që dyshohet se përdorej për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine.
Si vendlindje, aty i figuronte Mbretëria e Bashkuar dhe i skadonte më 2030-ën.
Interpol konfirmoi identitetin e tij në bazë të fotografisë së dërguar nga autoritetet braziliane, ku më pas u arrestua. Hetuesit dyshojnë se Mata shoqërohej me shtetas shqiptarë, të cilët i mbante pranë për aktivitete kriminale. Gjatë operacionit përveç Matës, u arrestuan disa të tjerë.
Ervin Mata është i njohur për drejtësinë shqiptare si i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe sigurim kushtesh për vrasje. Kërkohej nga SPAK që prej vitit 2023 për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për trafikimin e qindra kilogramëve kokainë drejt Europës.
Ai u prangos gjatë operacionit të koduar “The Wanted” për përfshirje në trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë.
Arrestimi lidhet edhe me dosjen ku përfshihet Eralbi Breçani, djali i ish-drejtuesit të Policisë Erzen Breçani, i cili u vetëdorëzua në Spanjë. Dyshohet se së bashku kanë trafikuar rreth 150 kilogramë kokainë.
Mata është i njohur për drejtësinë edhe për përplasjen me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i zhdukur prej disa vitesh, në një lokal në ish-Bllok, në vitin 2018. Konflikti mes të dyve, në një lokal, përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës.