Personat e papunë dhe që e gjejnë veten të përjashtuar nga tregu i punës prej vitesh, do të ndihmohen për të kapërcyer barriera administrative në zyrat e punës, duke u këshilluar nga persona të trajnuar për të rritur vetëbesimin e për të filluar një punë.
“Në çdo zyrë pune do të ketë mentor social që i ndihmon këta individë që janë regjistruar si të papune prej një periudhe të gjatë kohore”.
Për një vit janë ndihmuar 40 persona te papune qe i përkasin grupeve të margjinalizuara. Përveç grupeve të margjinalizuar përfitues mund të jenë edhe emigrantët e rikthyer në atdhe të cilët përballen me izolim dhe diskriminim të grave.
“Të gjithë ata të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike si të papunë nuk mund të qëndrojnë gjatë në skemat e ndihmës por duhet të integrohen në punë të ndryshme ndaj do të bashkëpunohet me të gjitha bashkitë në vend”.
“Bashkëpunimi me të gjithë bashkitë do të identifikojë përfituesit”.
Mentori social do të shërbeje si një urë ndërmjet punëkërkuesit dhe punëdhënësit duke i këshilluar personat e papunë të gjejnë veten në treg.
Në vitin 2024 INSTAT nuk ka publikuar asnjë tregues në lidhje me punësimin në vend, për shkak të përputhjes së Anketës së Forcës së Punës me të dhënat e reja të popullsisë që buruan nga Cens 2023.
Por të dhënat nga anketa e Barometrit të Ballkanit 2024 treguan normë të lartë papunësie në mesin e të anketuarve në Shqipëri. Nga 1000 të pyetur, 20% ishin të papunë në vendin tonë, niveli më i lartë rajonal dhe me diferencë nga të tjerat.
Mesatarja rajonale e papunësisë në mesin e të anketuarve ishte 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezultoi në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%. Në mesin e të anketuarve gjithashtu Shqipëria kishte vetëpunësimin 15%, niveli më i lartë në Rajon, për rrjedhojë kemi përqindjen më të ulët të të punësuarve me pagë.
Në 1000 persona të pyetur në vendin tonë, 39% e tyre ishin të punësuar me pagë, Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%. Nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, një përqindje e madhe në Maqedoninë e Veriut (21%) dhe në Serbi (28%) ishin pensionistë.
Në shqyrtimet tremujore të ecurisë së ekonomisë, Banka e Shqipërisë nëpërmjet të dhënave alternative referoi se ka rritje më të ngadaltë të punësimit më 2024.