Sport

Testi i UEFA-s kaloi me sukses, Juxhin Xhaja në Ligën e Kombeve

Juxhin Xhaja do të jetë kryesori i ndeshjes Estoni—Suedi, që vlen për raundin e katërt të grupeve në Ligën e Kombeve. Arbitri shqiptar është caktuar në këtë takim të rëndësishëm të grupit 1 në Ligën C, që do vendosë shumë dhe për fatet e kreut.

Gjithçka do të zhvillohet më 14 tetor ora 20:45 në Talin të Estonisë. Ndihmësit e Xhajës janë po ashtu arbitra shqiptarë, bëhet fjalë për anësorët Arbër Pema dhe Rejdi Avdo. Si arbitër i katërt është caktuar Albert Doda.

Në këtë mënyrë UEFA tregon vlerësim për Juxhin Xhajën. Kujtojmë se më parë gjykoi takimin e Ligës së Europës mes AZ Alkmar dhe Elfsborg ku vëzhgues ishte Mateo Trefoloni.

Ky emër italian shpesh vendoset për të vlerësuar arbitrat që mund t’u besohen ndeshje në të ardhmen dhe Xhaja mesa duket ia ka dalë me sukses në Holandë.