Sa më shumë kalojnë vitet, përgjegjësitë rriten, koha që ke për veten dhe për pasionet e tua tkurret njësoj si vija e flokëve para se të shkosh tek doktori për t’i mbjellë. Kujtoj që dikur, në kohë të gjimnazit shikoja 10 apo 13 filma në një fundjavë të vetme, më vonë kisha një ligj të pashkruar për të shkuar të paktën një herë në javë në kinema. Tani, nëse shoh një film në muaj, e konsideroj veten me fat.
Jetojmë në një kohë ku prodhimet filmike e televizive janë me kapicë, por rrallë, shumë rrallë ndodh që njëri syresh të ngrejë kokë, përpos përpjekjeve të vazhdueshme të marketingut për të na shtyrë të shohim ‘hitin’ më të ri të Hollywood-it. Një prej trendeve më të fuqishëm të këtyre muajve ka qënë rikthimi në ekranin e madh të yllit të viteve ’80-’90 – Demi Moore, në një film të thellë Horror, që është veti e rrallë e zhanrit.
Regjisorja Coralie Fargeat luan me një pyetje ekzistenciale:
A ekzistoj(më)?
A nuk jemi ne një shumatore e reflektimit në sytë e atyre që kemi përballë?! – “The Substance” ka disa të përbashkëta me romanin e 1930-ës nga Vladimir Nabokov – “The Eye”, një histori për horrorin e imazhit në pasqyrë, famës, vetëshkatërrimit për shkak të urrejtjes së unit, i ndërtuar në kurriz të syve dhe mendimeve të të tjerëve për të.
Shekulli i ri mund të përmblidhet i gjithi në një fjali. Sot më shumë se kurrë “Asgjë nuk është ashtu si duket”, duke e hedhur njeriun në një kërkim të vazhdueshëm e të mundimshëm për pranim nga të tjerët, pavarësisht haraçit. Dikur kjo i ndodhte vetëm klasave të larta, artistëve, tashmë, me rrjetet sociale ky është një hall i thuajse të gjithëve. Në të shkuarën vërtet [vajzat] mund të kishin një pasqyrë për t’u parë herë pas here, por jo një të tillë për të bërë selfie që do të ngelin përgjithmonë, apo mbledhje në zoom ku duhet të shohësh reflektimin tënd vazhdimisht. Pasqyrat janë problemi ynë më i vogël. Dhe sikur reflektimi ynë të mos na e mbushë mendjen ne apo të tjerëve tashmë është më e lehtë se kurrë për të krijuar versionin tonë ideal, atë më të pëlqyeshmin nga të tjerët.
“The Substance” kaloi përmasat e një historie imagjinare duke u kthyer në arsyetimin (edhe pse hajvan) se pse disa prej imazheve tashmë të një farë moshe, duken më të reja dhe më të freskëta se kurrë… (Lindsay Lohan, Madonna, Christina Aguilera, lista është e gjatë). Por kjo mjaftoi për ta kthyer filmin në një tituj që duhet ta shihje me se s’bën.
Demi Moore luan një aktore tashmë të rënë nga fiku për shkak të moshës [“mbas të 50-ve çdo gjë mbaron thotë Harvey, duke mbllaçitur karkaleca me majonezë në mënyrë groteske] – Elisabeth Sparkle. Mbas një jete të shpenzuar përpara kamerave, shoqëruar nga glamouri i të qënit e adhuruar, ajo do të ngelë pa punë pasi shefi i saj – Dennis Quaid – kërkon dikë më të njomë, më të freskët.
E nëse kamerat nuk janë më të drejtuara nga ty, a do të thotë që ekziston akoma?
E gjendur përpara reflektimit të së shkuarës së saj në çdo hap dhe nën ndjesinë e trysnisë për të qënë tërheqëse si dikur, Sparkle vendos të bëjë një zgjedhje. Vetëm se eliksiri i përjetësisë së bukurisë nuk është tamam ai i “Death Becomes Her” (1992, Meryl Streep, Bruce Willis), është makthi i saj (dhe i yni) më i madh.
Me në mendje parantezën e fillimit, (nuk kam parë shumë filma këtë vit), “The Substance” është absolutisht tërheqës, intrigues, argëtues, dhe tejet grotesk e i ekzagjeruar. Vitet e fundit në kinema e ke të vështirë që të shohësh një film që i ka të gjitha, skenarin, interpretimin, fotografinë, regjinë, kolonën zanore – ky është një paketë që do të ngelë në listën e filmave më të mirë, jo vetëm të 2024. Pavarësisht buxhetit të tij të vogël – krahasuar me ‘dinosaurët’ e Hollywood-it – “The Substance” është një tregues se asnjë film nuk matet asnjëherë nga sa të madh apo të vogël e ka [buxhetin]. Tjetër gjë e bën një film të shkëlqyer.
Është e pamundur mos ta gjesh veten në këtë trill; sado i tepruar të jetë. Sparkle dhe vetja e saj e re, Sue (Margaret Qualley) janë një dualizim që e kemi në ndërgjegjie, aq më shumë nëse jemi një farë personazhi publik apo bëjmë një jetë publike me zgjedhje.
Nga ana tjetër, filmi duhet marrë për atë që është. Bombastik por jo logjik. Një metaforë e vazhdueshme dhe therrëse, një analizë prej kirurgu për shekullin e ri. Çdo aspekt i tij punon për të të ngacmuar shqisat në një formë që shumë pak filma arrijnë ta bëjnë. Rezultati?! Një ndjesi e llojit ku dreqin kemi përfunduar.
Standartet absurde që i kemi vënë bukurisë femërore – rëndësia e amplifikuar e formës mbi përmbajtjen dhe efektet e pasqyrës të kthyer nga vetja, një reflektim i cili është stërvitur të mos thotë të vërtetën, thuajse asnjëherë. Në kërkim të famës, njohjes, pranimit, dashurisë, viteve të rinisë, atëhere kur ishim të gjallë, “The Substance” tregon se ka një kohë për të gjitha, se Lumturia nuk është finale, Konflikti po!