Tech

TikTok dhe Meta nën akuza, dyshohet se rrezikuan sigurinë për më shumë angazhim online!

Denoncues dhe ish-punonjës të kompanive të mëdha të mediave sociale kanë ngritur shqetësime se disa vendime të brendshme në platformat kryesore janë marrë duke rritur rrezikun e përhapjes së përmbajtjeve të dëmshme, me qëllim rritjen e angazhimit të përdoruesve dhe konkurrencën në tregun e algoritmeve të rekomandimit.

Sipas më shumë se një duzinë burimesh të brendshme që folën për një dokumentar të BBC-së, kompanitë e mediave sociale kanë marrë vendime që kanë lejuar më shumë përmbajtje problematike në platforma, përfshirë materiale që lidhen me dhunën, shantazhin seksual dhe terrorizmin. Sipas tyre, këto vendime u morën në përpjekje për të mbajtur përdoruesit sa më gjatë të angazhuar në aplikacione. Një inxhinier nga Meta Platforms, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, deklaroi se menaxherët u kishin kërkuar ekipeve të lejonin më shumë përmbajtje “kufitare”, si mizogjinia dhe teoritë e konspiracionit, për të rritur ndërveprimin e përdoruesve dhe për të konkurruar me TikTok.

Sipas tij, presioni për këtë qasje lidhej edhe me rënien e çmimit të aksioneve të kompanisë dhe nevojën për të rritur aktivitetin në platformë. Një tjetër ish-punonjës i Meta-s tha se kompania investoi rreth 700 punonjës për zhvillimin e funksionit të videove të shkurtra Instagram Reels feature, ndërsa ekipet që merreshin me sigurinë, përfshirë mbrojtjen e fëmijëve dhe integritetin e zgjedhjeve, nuk morën burimet e nevojshme.

Ndërkohë, një punonjës i TikTok i dha BBC-së dokumente të brendshme që tregojnë se disa ankesa të përdoruesve që lidhen me politikanë trajtoheshin me përparësi. Sipas dokumenteve, kjo bëhej për të ruajtur marrëdhënie të mira me figurat politike dhe për të shmangur rregullore apo ndalime të mundshme ndaj platformës. Zbulimet janë pjesë e një debati më të gjerë mbi mënyrën se si platformat e mediave sociale menaxhojnë përmbajtjen dhe ndikimin që algoritmet e rekomandimit kanë në shpërndarjen e informacionit dhe në sigurinë e përdoruesve.