Në Porto Riko ekziston një lloj peme që kap dhe vret zogjtë e vegjël, e më pas ushqehet me lëndët ushqyese që çlirohen nga trupat e tyre. Pemët Pisonia, të njohura edhe si “pemët që kapin zogj”, janë një dëshmi se natyra mund të jetë jashtëzakonisht e egër. Në degët e tyre mund të shihen trupat e mumifikuar të zogjve të joshur nga këto pemë vrasëse, ndërsa poshtë tyre toka shpesh është e mbuluar me kufoma dhe eshtra zogjsh të ngordhur.
Këto pemë i tërheqin viktimat e tyre në një mënyrë shumë të zgjuar. Ato prodhojnë fruta të vegjël dhe ngjitës, të mbuluar me qindra grepëza mikroskopike. Këto ngjiten në trupin e zogjve që ushqehen me frutat. Nëse shumë prej tyre mbeten të ngjitura, zogjtë mund të bllokohen në degët e pemës, ku ngadalë vdesin nga uria, ose bien në tokë kur përpiqen të fluturojnë. Megjithatë, rezulton se këto pemë nuk po i vrasin zogjtë qëllimisht. Kjo është një pasojë e padëshiruar e përpjekjes së tyre për të përhapur farat dhe për të siguruar mbijetesën e llojit.
Siç shpjegon Alan Burger, ekolog në Universitetin e Viktorias, i cili i ka studiuar këto pemë për më shumë se 20 vjet: “Rezultatet e eksperimenteve të mia treguan mjaft bindshëm se Pisonia nuk përfitonte ndonjë avantazh të dukshëm nga ngatërrimi fatal i zogjve.” Burger zbuloi se ngjitshmëria ekstreme e farave shërben për t’u siguruar që ato të mbeten të kapura pas zogjve detarë, të cilët ushqehen rregullisht me frutat e pemës. Duke qëndruar të ngjitura në puplat e tyre deri në katër javë dhe pa u larë menjëherë nga uji i detit, farat mund të transportohen në distanca shumë më të mëdha.
Kjo u mundëson pemëve të kolonizojnë territore të reja dhe të rrisin shanset për mbijetesën e specieve të tyre. “Mbajtja gjallë e zogjve është çelësi i shpërndarjes së farave, por një pasojë fatkeqe e farave tepër ngjitëse dhe e prodhimit të tyre në grupe të mëdha është se disa zogj mbeten të bllokuar fatalisht,” thotë Burger.