Sport

Tirana shpërbëhet në pjesën e dytë, Egnatia fiton me lehtësi duke i shënuar 4 gola/ Dorëhiqet trajneri Magani

Egnatia ka fituar me shifrat 4-0 duelin ndaj Tiranës në “Arenën Kombëtare”, duke konfirmuar diferencën shumë të thellë që është krijuar tashmë mes skuadrave që luftojnë për titull si ajo rrogozhinase dhe bardhebluve të cilët janë kthyer në kandidatë kryesorë për rënien nga kategoria.

Skuadra e Maganit rezistoi vetëm në pjesën e parë ku nuk krijoi shumë, por as nuk lejoi rrogozhinasit që të krijonin. Sapo ajo filloi të linte hapësira prapa duke tentuar të dilte në sulm, u shpërbë plotësisht, e goditur nga dy gola të rrufeshëm të Ujkës dhe Lushkjes.

LEXO EDHE: Hidhet shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë!

Aty ndeshja praktikisht mbaroi për Tiranën, e cila nuk kishte forcë të reagonte dhe vetëm pësonte aksionet e njëpasnjëshme të rrogozhinasve të cilët tundën rrjetën edhe dy herë të tjera para fundit të sfidës, duke marrë një fitore të thellë që i katapulton në kreun e klasifikimit për momentin.

Ndërkohë, Tirana vazhdon të zhytet gjithnjë e më shumë në klasifikim dhe duke parë serinë e rezultateve të fundit, është kandidatja kryesore për rënien nga kategoria.

Trajneri Edlir Tetova i është gëzuar sot fitores së Egnatias së tij, që mposhti 4-0 Tiranën dhe është ngjitur përsëri në kreun e klasifikimit. Ai vlerësoi lojën e të tijve sidomos në pjesën e dytë, kur skuadra tundi rrjetën me vazhdimësi.

“Mendoj se ndeshje perfekte, po themi në pjesën e dytë. Në të parën kishim vështirësi, dolëm para portës, por kishim vështirësi në manovër, se edhe kundërshtari ishte me 5 në vijën e fundit. Në pjesën e dytë menduam të ndryshonim diçka, të ishim në manovrën 4-3-3, mendoj që funksionoi.

Normalisht e dua ekipin me shumë mesfushorë, e kam kërkuar se ata janë çelësi i suksesit për komandimin e ritmit të lojës. Mendoj që jemi në rrugë të mirë, i kemi mesfushorët me karakteristika të ndryshme. Kemi që shkojnë në thellësi, mbajnë topin apo driblues që marrin metra drejt portës.

Edhe në pjesën e parë ishim para portës, mungoi pasi i fundit, Këtë u kërkova lojtarëve të ngjisheshim sa më afër portës së kundërshtarit, të përfitonim nga topat kthyes. Ia dolëm në dy momente ku u shënuan edhe golat”, tha Tetova pas përfundimit të ndeshjes.

Situatë alarmante te Tirana, as trajneri Magani dhe as ndihmësi i tij i parë Dervishi, nuk pranuan të flisni për mediat pas ndeshjes. Zv.trajneri i dytë, Endri Ohri, i cili shkurtimisht u shpreh:

“Kemi një problem psikologjik. Pjesa e parë ishte aty aty, ishin të gjithë të përqëndruar. Në pjesën e dytë ndikoi lodhja dhe përqëndrimi. Ai goli i pësuar ishte i habitshëm. Duhet ta kalojmë këtë momentin, të përpiqemi të jemi më të fortë, nuk e meritojmë të jemi këtu. Loja është  90 minuta, duhet të bëjmë më mirë”.

Magani ka paraqitur dorëheqjen e tij në fund të ndeshjes, teksa ka komunikuar me drejtuesit e klubit bardheblu.

Trajneri u ka komunikuar drejtuesve pas ndeshjes se në një situatë të tillë, nuk mund të drejtonte skuadrën pasi e shihte të pamundur të jepte një impuls për skuadrën e cila është e përfshirë në luftën për mbijetesë.

Tani është në dorën e presidentit Refik Halili të pranojë këtë dorëheqje të trajnerit dhe të mbyllë kontratën me mirëkuptim, apo të insistojë për të mbajtur Maganin në pankinë në këtë moment ku një tjetër largim trajneri, mund t’i jepte ekipit të tij goditjen fatale në luftën për mbijetesë.