Të paktën 19 persona konsiderohen të zhdukur pas një shpërthimi masiv në një fabrikë për prodhimin e eksplozivëve për ushtrinë amerikane, në Tenesi të Shteteve të Bashkuara. Lajmin e dha një zyrtar lokal, i cituar nga mediat. Bëhet e ditur se ka një numër të paspecifikuar “viktimash”.
Aktualisht mund të konfirmojmë se kemi 19 persona që po i kërkojmë, u shpreh sherifi i qarkut Hamfris, Chris Davis, gjatë një konference për media. Mund t’ju them se ka viktima. Nuk dua t’ju jap një numër… Por, mund t’ju them tani se po kërkojmë 19 persona.
Më herët, Davis konfirmoi se autoritetet kanë rrethuar zonën, por paralajmëroi se mund të ketë shpërthime të tjera, më të vogla në fabrikë.
Në vendin e ngjarjes janë parë ekipe të shumta të shërbimeve të urgjencës, teksa qytetarëve i është bërë thirrje që të shmangin zonën e prekur.
Ndërkaq, sipas pamjeve nga ajri e që janë shfaqur nga mediat amerikane, ende del tym i zi nga vendi ku ndodhi shpërthimi, në qarkun Hikman në Tenesi.
Mund të konfirmojmë se ka ndodhur një shpërthim në Accurate Energetic Systems, në zonën e Buksnortit, deklaroi më herët policia lokale, përmes një postimi në Facebook.
Ekipet e emergjencave aktualisht janë në vendngjarje dhe po punojnë për të adresuar situatën, shtoi policia.
Zyra e kryetarit të qarkut Hikman tha për AFP-në se nuk mund të konfirmojnë nëse ka viktima apo shkakun e shpërthimit. Accurate Energetic Systems është një prodhues i eksplozivëve, i themeluar 45 vjet më parë, më 1980-ën.
Sipas faqes në Facebook të kësaj kompanie, thuhet se prodhon “përbërës të ndryshëm të shpërthyesve me fuqi të lartë e produkte të posaçme” për Departamentin amerikan të Mbrojtjes, si edhe për tregjet industriale amerikane.