Sport

Tronditet bota e sportit/ Gjendet i pajetë në shtëpinë e tij legjenda e boksit, disa javë para rikthimit të tij në ring

Bota e sportit është në zi pas lajmit tronditës se kampioni i botës në boks Ricky Hatton është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare.

I njohur me nofkën “The Hitman”, Hatton u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Manchester mëngjesin e sotëm.

Policia e Manchesterit konfirmoi ngjarjen, duke deklaruar se vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë.

 “Mund të konfirmojmë se kemi gjetur një trup në një adresë në Bowlacre Road në Gee Cross në orën 06:45 të mëngjesit të sotëm, të dielën, 14 shtator. Vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë,” thuhet në deklaratën e policisë.

Lajmi i vdekjes së Ricky Hatton ka shkaktuar reagime emocionale në rrjetet sociale dhe në mbarë komunitetin sportiv.

“RIP Hitman,” – kanë shkruar fansat në rrjet, duke e përshkruar atë si “një ikonë të boksit britanik dhe një nga karakteret më të dashura të sportit”.

Edhe figura të njohura të mediave kanë reaguar. Piers Morgan shkroi në X: “RIP Ricky ‘The Hitman’ Hatton, 46 vjeç. U gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Manchester. Policia thotë se nuk ka rrethana të dyshimta. Një lajm jashtëzakonisht i trishtuar.”

Karriera e Hatton zgjati nga 1997 deri në 2012, duke përfshirë 45 fitore dhe vetëm 2 humbje, dhe përfshinte përballje me emra si Kostya Tszyu, Paulie Malignaggi, Floyd Mayweather Jr. dhe Manny Pacquiao.

Ai ishte një ikonë e klasit punëtor britanik, i lindur dhe rritur në Manchester, që u kthye në një figurë të dashur për publikun jo vetëm për sukseset në ring, por edhe për shpirtin e tij sportiv dhe jetën e sinqertë jashtë ringut.