Bota

Trump: Koha për udhëheqje të re në Iran!

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka ardhur koha që udhëheqës të rinj të marrin kontrollin në Iran, pasi dhjetëra mijëra protestues kanë dalë në rrugët e vendit, duke e vënë Republikën Islamike përballë një prej kërcënimeve më serioze ndaj legjitimitetit të saj, që nga revolucioni i vitit 1979.

Është koha të kërkohet një udhëheqje e re në Iran.

Trump sulmoi direkt udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenein, i cili përfaqëson pushtetin real për 37 vitet e fundit.

Si udhëheqës ka faj për shkatërrimin e plotë të vendit dhe përdorimin e dhunës në nivele që nuk janë parë kurrë më herët.

Për ta mbajtur vendin funksional edhe pse ky funksionim është në një nivel shumë të ulët, udhëheqja duhet të fokusohet në qeverisjen e vendit të tij siç duhet, ashtu siç bëj unë me Shtetet e Bashkuara e jo të vrasë me mijëra njerëz për të ruajtur kontrollin. Udhëheqja ka të bëjë me respektin, jo me frikën dhe vdekjen.

Sfida më e fundit ndaj qeverisë teokratike shpërtheu më 28 dhjetor 2025, kur demonstruesit dolën në rrugë për shkak të ekonomisë së dobët të Iranit, përpara se manifestimet të shndërroheshin në protesta anti-establishment.

Grupi Iran Human Rights me seli në Norvegji ka verifikuar të paktën 3.428 vdekje protestuesish nga forcat e sigurisë, ndërsa HRANA me qendër në SHBA e vendosi numrin e verifikuar të viktimave në 3.090, përfshirë 2.885 protestues, me më shumë se 22.000 arrestime.

Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se numri real ka të ngjarë të jetë më i lartë për shkak të një bllokade të internetit të vendosur që nga 8 janari. Kufizimet online u hoqën dje për pak orë, por grupi monitorues NetBlocks tha se bllokada u rivendos.

Trump ka marrë rol udhëheqës mes liderëve perëndimorë në sulmet ndaj drejtuesve të linjës së ashpër të Iranit për shtypjen brutale të protestuesve në të gjithë vendin. BE-ja, OKB-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut gjithashtu kanë dënuar qeverinë iraniane.

Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme dhe të armatosura” për të vepruar nëse forcat e sigurisë iraniane do të vrisnin protestues. Më vonë, kërcënoi me “veprim shumë të fortë” nëse Irani do të varte protestues, pasi u përhapën lajme për ekzekutime të mundshme të personave të ndaluar.