Bota

Trump kritikon vendimin e Biden-it për të falur anëtarët e familjes!

Gjatë një ceremonie të nënshkrimit të urdhrave ekzekutivë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump kritikoi vendimin e presidentit Joe Biden, për të falur anëtarët e familjes së tij, që nuk janë nën hetime. Komentet i bëri disa minuta pas nënshkrimit të një dekreti për të falur rreth 1 mijë e 500 persona të akuzuar për vepra penale lidhur me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol. Presidenti vuri në dukje se falja e anëtarëve të familjes nga Biden, nënkupton se ata mund kenë qenë fajtorë.

Dje, Biden fali anëtarë të familjes së tij, që nuk janë nën hetim, duke përfshirë vëllanë James Biden, bashkëshorten e  James Biden-it, Sara Biden; motrën e tij, Valerie Biden Owens; bashkëshortin e Valerie, John Owens, si dhe vëllanë tjetër, Francis Biden. Vendimi i mbron nga mundësia e përballjes me hetime ose akuza në të ardhmen.

Familja ime iu është nënshtruar sulmeve dhe kërcënimeve të pandërprera, të motivuara vetëm nga dëshira për të më goditur mua, lloji më i keq i politikës partiake. Fatkeqësisht, nuk kam asnjë arsye të besoj se këto sulme do të marrin fund, thuhet në deklaratën e Biden-it. Dhënia e këtyre faljeve nuk duhet të merret për pranim të fajësisë dhe nuk duhet të keqinterpretohet si pranim i fajit për ndonjë vepër.

Presidenti Biden u kritikua për vendimin e tij të muajit të kaluar për faljen e djalit të Hunter Biden, pasi më parë ai kishte thënë se nuk do të bënte një gjë të tillë.

Përmes një urdhri ekzekutiv, në ditën e parë në detyrë, presidenti Donald Trump fali 1,500 persona të dënuar për akuzat që lidhen me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmbushur një premtim të përmendur shpesh gjatë fushatës presidenciale 2024. Gjatë një ceremonie të nënshkrimit të urdhrave ekzekutivë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, Trump u shpreh se ka ulur dënimet për 14 të dënuar për veprime të dhunshme gjatë sulmit ndaj Kapitolit.

Udhëheqësit e organizatave të ekstremit të djathtë “Proud Boys” dhe “Oath Keepers” janë ndër ata që po vuajnë dënime me burg për rolin e tyre në veprimet e dhunshme në Kapitol. Mbi 600 persona u akuzuan për sulm ose pengim të policisë gjatë protestës së dhunshme, sipas të dhënave të Departamentit të Drejtësisë.