Bota

Trump optimist për bisedimet me Iranin, Teherani mohon negociatat!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është optimist për raundin e ri të bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke deklaruar se kanë një “shans të mirë” për të prodhuar rezultate. Megjithatë, autoritetet iraniane vijojnë të mohojnë se po zhvillojnë negociata me SHBA-të.

Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Mendoj se ka shumë mundësi që diçka të arrihet, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One. “Tani për tani, ata po flasin me ne për të arritur një marrëveshje, shtoi presidenti amerikan, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në të njëjtën kohë, Trump paralajmëroi se mund të urdhërojë rifillimin e bombardimeve ndaj Iranit nëse bisedimet dështojnë, ndërsa në SHBA po shtohen shqetësimet për mungesa të mundshme të municioneve për sistemet e mbrojtjes ajrore.

Teherani: Nuk ka negociata me SHBA-të

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, deklaroi se “në këtë moment” Irani nuk po zhvillon “asnjë negociatë me SHBA-të”.

Ndërkohë, edhe pse armëpushimi ka hyrë në ditën e tretë, Arabia Saudite, aleati kryesor i Uashingtonit në rajon, tha se kishte neutralizuar një sulm me dron të nisur nga territori irakian.

Sipas Riadit, sulmi u krye nga “milici të mbështetura nga Irani”, megjithëse deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë.

Arabia Saudite i ka kërkuar Irakut të “marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e territorit të tij si bazë për sulme”. Autoritetet irakiane bënë të ditur se nisën një hetim për ngjarjen.

Ndërkohë, në Jemen, rebelët Huthi pretendojnë se kanë goditur me dronë “objektiva të ndjeshëm” dhe “instalime të përfshirë në dërgesat dhe transportin e naftës bruto” të Arabisë Saudite pranë qytetit portual Yanbu, në brigjet e Detit të Kuq, ku përfundon një nga tubacionet kryesore të naftës së mbretërisë.