Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar sërish NATO-n në një postim në Truth Social, pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit.
Pavarësisht se Keir Starmer dhe Emmanuel Macron thanë se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të udhëheqin një mision ushtarak për të mbrojtur anijet, Trump ka hedhur poshtë çdo ofertë ndihme nga aleatët e tij të NATO-s.
“Tani që situata e Ngushticës së Hormuzit ka mbaruar, mora një telefonatë nga NATO duke më pyetur nëse do të na duhej ndihmë,” shkroi presidenti.
U THASHË ATYRE TË QËNDROJNË LARG. Ata ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme, janë një ‘Tigër prej letre’!”, shtoi presidenti.
Kujtojmë se vendet evropiane të NATO-s kanë refuzuar vazhdimisht thirrjen e Trump që aleanca të ndihmojë në hapjen me forcë të ngushticës, të cilën Irani e mbylli në mënyrë pas fillimit të sulmit amerikan.
Presidenti më parë paralajmëroi se NATO do të përballet me një “të ardhme shumë të keqe” nëse ata nuk do të mbështesin përpjekjet e SHBA-së.
Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet pa kushte dhe pa tarifa për anijet. Kjo ishte kërkesa e presidentit francez Emmanuel Macron pas përfundimit të samitit për sigurinë detare në Paris.
Në deklaratën për mediat, Macron e cilësoi vendimin e Iranit për rihapjen e ngushticës si “një hap në drejtimin e duhur”, por theksoi se lundrimi duhet të jetë i lirë dhe pa kufizime.
Ai falënderoi gjithashtu kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz për pjesëmarrjen në takim, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit mes vendeve europiane.
Samiti, i bashkëdrejtuar nga Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, u fokusua te siguria e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.
Sipas Starmer, disa vende kanë ofruar tashmë mjete dhe mbështetje për këtë operacion.
“Rihapja e Hormuzit është një domosdoshmëri dhe një përgjegjësi globale”, u shpreh ai.
