Sport

Trump vepron ndryshe nga homologët e tij, Presidenti amerikan nuk merr pjesë në ndeshjen hapëse të SHBA-së në Botëror

Presidenti amerikan Donald Trump nuk mori pjesë në ndeshjen hapëse të kombëtares së Shteteve të Bashkuara kundër Paraguait në Botërorin 2026, por u përfaqësua nga një delegacion zyrtar i dërguar në stadium.

Në vend të tij, në SoFi Stadium ishte Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili u pa i ulur pranë presidentit të FIFA-s Gianni Infantino dhe presidentit të Paraguait Santiago Peña.

Sipas raportimeve, në delegacionin amerikan ishin gjithashtu Sekretari i Transportit Sean Duffy dhe senatori Markwayne Mullin, të gjithë aleatë të ngushtë politikë të Trump.

Mungesa e presidentit amerikan bie në sy në krahasim me pjesëmarrjen e liderëve të tjerë botërorë. Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum ishte e pranishme në ndeshjen hapëse të vendit të saj, ndërsa kryeministri i Kanadasë Mark Carney ndoqi ndeshjen e Kanadasë në Toronto.

Në një zhvillim që ka tërhequr vëmendje mediatike, ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau u pa gjithashtu në tribunat e Los Angelesit, ku ndodhej pranë partneres së tij, këngëtares Katy Perry, e cila kishte performuar në ceremoninë e hapjes së turneut.