Ish-ligjvënësja Tulsi Gabbard u konfirmua pasi senatorët republikanë mbështetën të emëruarën e Presidentit Donald Trump për të drejtuar komunitetin e zbulimit. Me 52 vota pro dhe 48 kundër, votimi u nda në vija partiake për të konfirmuar Gabbard-in e cila do të mbikqyrë një komunitet me 18 agjenci federale të kundërzbulimit.
Ky votim është fitorja e radhës për Presidentin Trump ndërsa të emëruarit e tij vazhdojnë përballjen me senatorët. Pas votimit, Gabbard i tha Presidentit Trump se ajo do të “ndihmonte në realizimin e objektivave që populli amerikan ia besoi atij qartësisht në këto zgjedhje”.
Populli amerikan ka pak besim tek komuniteti i zbulimit, kryesisht për shkak të përdorimit për qëllime politike dhe politizimit të një entiteti që supozohet që të përqëndrohet thjesht tek garantimi i sigurisë sonë kombëtare, u shpreh pak çaste pasi u betua si drejtuese e zbulimit kombëtar, në një ceremoni që u mbajt në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.
Gabbard tha se ndihej e nderuar që do të shërbente në administratën e Presidentit Trump “për të ndihmuar në rindërtimin e besimit të publikut dhe për të mbajtur popullin amerikan të sigurt”. Gabbard mori mbështetje nga çdo senator republikan, përveç ish-udhëheqësit të shumicës Mitch McConnell, i cili iu bashkua demokratëve dhe kundërshtoi kandidaturën e saj.
43 vjeçarja, ish-anëtare e Partisë Demokrate, është përballur me pyetjet e senatorëve të të dyja partive në lidhje me deklaratat e saj të mëparshme që shihen si mbështetje për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara dhe për mungesë përvoje.
Gabbard asnjëherë nuk ka punuar për ndonjë agjenci spiunazhi dhe as nuk ka shërbyer në komisionin për kundërzbulim të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa ishte ligjvënëse për katër mandate. Tani do të drejtojë një agjenci që është krijuar nga Kongresi pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, për të bashkërenduar aparatin e gjerë të kundër-zbulimit të Shteteve të Bashkuara, një nga postet më të rëndësishme në qeverinë amerikane që ka të bëjë me sigurinë kombëtare.
Skeptikët kanë ngritur shqetësimin mbi deklaratat e mëparshme të Gabbard-it, që vlerësohen si miqësore ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe mbrojtjes që i ka bërë ish-udhëheqësit sirian Bashar al-Assad. Tulsi Gabbard e vizitoi Assad-in në Siri më 2017-ën kur ishte nën sanksione amerikane.