Gjyqtari Asim Vokshi u betua si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese. Betimi u bë në Presidencë para Kryetarit të Shtetit, Bajram Begaj, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë, më 30 tetor. E pranishme në ceremoni ishte edhe Holta Zaçaj, mandati i së cilës në krye të Kushtetueses ka përfunduar më 10 mars. Zaçaj do të zëvendësohet në detyrë nga Vokshi.
Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Betohem!
Në mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve, 6 pjesëmarrës patën votuar për kandidatin Asim Vokshi ndërsa kandidatja Naureda Llagami mori 8 vota dhe Florian Ballhysa, asnjë. Ndonëse secili prej kandidatëve nuk siguroi 3/5-at e votave të nevojshme për t’u shpallur fitues, Asim Vokshi u zgjodh automatikisht, se rezultoi me pikë më të larta se kolegët e tjerë pas fazës së intervistimit të kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Kujtojmë se interpretimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj çoi në përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Kryegjyqtarja u emërua në janar të vitit 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha. Duke qenë se emërimi i saj përfshihej në skemën për ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet me nga tre anëtarë, sipas Gjykatës së Lartë, mandati i Zaçajt përfundonte më 10 mars 2025 dhe mbarimi i mandatit duhej të ishte deklaruar më 10 dhjetor 2024.
Një veprim i tillë nuk u ndërmor dhe Gjykata e Lartë shpalli vakancën për postin e Zaçajt më 11 dhjetor, vendim që u konsiderua si “shkelje” nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Zaçajt, ajo ishte zgjedhur në detyrë me mandat 9-vjeçar dhe jo në vend të ish-kryetares Vitore Tusha.