Aktualitet

Skënder Hita betohet në krye të Policisë së Shtetit!

Një ditë pas emërimit nga qeveria, sot Skënder Hita u betua në krye të Policisë së Shtetit, në një ceremoni ku ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e vlerësoi si “njeriun e duhur për të udhëhequr Policinë në një moment të rëndësishëm për vendin”.

Lamallari theksoi se procesi i përzgjedhjes ishte transparent dhe i bazuar në meritë, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohet një figure të besueshme, me standarde të larta profesionale. Hitën e përshkroi si oficer karriere, profesionist e të udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë. Dje, Sali Berisha iu referua si “Skënder Balluku”, duke e cilësuar “emër problematik”.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e betimit, Hita veçoi si sfidë goditjen ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nisur me Policinë e Shtetit. Mes objektivave që do të jenë në themel të punës së Policisë, renditi rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla, forcimin e rendit dhe sigurisë, modernizimin, teknologjinë e digjitalizimin, si dhe rritjen e besimit të qytetarëve te forcat e rendit.

Për të punuar, është sakrifikuar shumë deri më sot. Mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe përmirësimi i imazhit të policisë, sepse një polici e denjë matet me besimin që fiton çdo ditë ndaj qytetarëve. Policia është vendi ku qytetari gjen mbështetjen, drejtësi dhe besim.

Prioritetet tona janë të qarta: lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duke filluar nga radhët tona; rritje e parametrave të sigurisë në shkolla, forcimi i rendit dhe sigurisë, modernizimi i sigurisë përmes teknologjisë sipas standardeve evropiane, rritje e transparencës dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve, mbështetje dhe motivim ndaj punonjësve të policisë, forcimi i bashkëpunimit me partnerët evropianë.

Skënder Hita u betua se do ta mbajë me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Emërimin në krye të Policisë së Shtetit, nuk e cilësoi arritje personale, por përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni.

Më herët, në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së betimit të Skënder Hitës, zv.kryeministrja Albana Koçiu deklaroi se përzgjedhja e tij është një provë e qartë se karriera në Policinë e Shtetit ndërtohet mbi meritën, transparencën dhe integritetin.

Koçiu theksoi se detyra e parë e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit është ruajtja e standarit të këtij insttucioni si një trupë profesionale e konsoliduar dhe e orientuar drejt modernizimit e digjitalizimit.