Bota Tech

Twitter kufizon numrin e postimeve që përdoruesit mund t’i shohin!

Twitter vendos kufizim të përkohshëm në numrin e postimeve të kësaj platforme e që përdoruesit mund t’i lexojnë brenda një dite. Pronari Elon Musk thotë se llogaritë e paverifikuara, tani nuk mund të shohin më shumë se 1 mijë postime në ditë. Për llogaritë e reja të paverifikuara, numri i postimeve është kufizuar në 500. Ndërkohë, llogaritë me status të “verifikuar” aktualisht mund të shohin deri në 10 mijë postime në 24 orë.

Fillimisht, miliarderi Musk vendosi kufizime më të rrepta, por i ndryshoi brenda pak orësh pasi i bëri publike. Musk tha se kufizimet e përkohshme ishin vënë për të adresuar “nivelet ekstreme të grumbullimit të të dhënave dhe manipulimit të sistemit”. Ai nuk shpjegoi se çfarë nënkuptonte me “manipulim të sistemit”.

Nga ne po grumbulloheshin aq shumë të dhëna saqë po degradohej shërbimi për përdoruesit e zakonshëm.

Përdoruesve që s’kishin llogari iu dolën mesazhe që iu kërkonin të identifikoheshin për të parë përmbajtjen në Twitter. Lëvizja u përshkrua si një “masë e përkohshme emergjente”.

BBC raporton se Musk mund të ketë qenë duke folur për grumbullimin e sasive të mëdha të të dhënave, të përdorura nga kompanitë e inteligjencës artificiale, (AI) për të trajnuar modele të mëdha gjuhësore, të cilat fuqizojnë teknologjitë si ChatGPT i Open AI.

Grumbullimi i të dhënave është tërheqja e informacionit nga interneti. Modelet e mëdha gjuhësore të AI duhet të mësojnë nga bisedat reale mes njerëzve. Por, cilësia e bisedave është jetike për suksesin e aplikacioneve të tilla. Grumbullimi i miliarda postimeve të Reddit dhe Twitter-it mendohet se përdoret për të trajnuar teknologjitë si ChatGPT.

Por, platformat si Twitter dhe Reddit duan të paguhen për këto të dhëna. Në prill, shefi ekzekutiv i Reddit, Steve Huffman, i tha New York Times-it se nuk ishte i kënaqur me atë që po bënin kompanitë e AI.

Korpusi i të dhënave të Reddit-it është me të vërtetë i vlefshëm. Por, ne nuk kemi nevojë t’ia japim të gjithë këtë vlerë falas disa prej kompanive më të mëdha në botë. Fillimisht, Musk kishte lajmëruar për kufizim prej 6 mijë postimesh në ditë për llogaritë e verifikuara, 600 për llogaritë e paverifikuara dhe 300 për llogaritë e reja të paverifikuara.

Musk e bleu kompaninë vitin e kaluar për 44 miliardë dollarë, pas shumë telashesh. Ai nuk donte që platforma të bëhej një dhomë ku vetëm i bëhej “jehonë” mendimeve të njëjta.