Aktualitet

U vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme në polici, lirohet drejtori i burgut të Rrogozhinës!

Pasi u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme në polici, drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa është liruar ditën e sotme.

Mësohet se ai do të ndiqet në gjendje të lirë.

4 mijë rrënjë kanabis sativa janë gjetur ditën e djshme në një banesë në një fshat të Peqinit, e cila është në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës.

Një aksion i befasishëm i kryer në bashkëpunim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan bëri të mundur identifikimin e një sasie të konsiderueshme bimësh narkotike në banesën e tij në Peqin.

Pas vetëdorëzimit mbrëmjen e djeshme Bilal Hasa Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë. Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për aktivitetin që mund të ishte ushtruar aty.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur të pezullojë nga detyra Bilal Hasën.

 “Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Njoftimi i djeshëm i policisë:

Peqin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj” për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me anë të llambave.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.

Sekuestrohen rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Shpallet në kërkim pronari i ambientit.

Në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.