Aktualitet

Avokati i Popullit nis hetimin e veprimeve të policisë ndaj protestuesve: Policia duhet të vërtetojë shkeljen e ligjit!

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, priti sot një grup aktivistësh të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar dhe ndaj të cilëve, policia ka nisur procedime penale. Mbi bazën e ankesës së tyre, institucioni ka nisur verifikimin e veprimeve të deritanishme të policisë.

Aktivistët pretendojnë se procedimet ndaj tyre janë të pabazuara dhe synojnë dekurajimin e të drejtës së tyre për të protestuar.

Avokati i Popullit po vlerëson nëse këto veprime të policisë përmbushin parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“E drejta për të protestuar paqësisht është e drejtë themelore dhe duhet garantuar me çdo kusht. Kur policia procedon qytetarë vetëm sepse protestuan, barra e provës nuk është tek protestuesit por te policia, e cila duhet të vërtetojë që ata realisht kanë shkelur ligjin”, deklaroi Shabani.

Avokati i Popullit do të vijojë hetimin administrativ ndaj sjelljes së policisë për tu siguruar se në çdo rast e drejta për tubim të mos cenohet.

23 protestues janë proceduar penalisht, pasi ditën e djeshme dyshohet se bllokuan disa rrugë të Tiranës, gjatë marshimit të tyre.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se nga verifikimet e kryera rezultoi se disa nga pjesëmarrësit në tubim kanë organizuar dhe drejtuar pjesëmarrësit, duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht.

Po ashtu, Policia njofton se shtetasi me inicialet R.M ka kallëzuar për kanosje Gent Prognin, pas një debati lidhur me publikimin e një videoje në një rrjet social, ku pretendohej se Gent Progni pengonte qytetarët të flisnin në podium.

Qytetari që ka kallëzuar Prognin, pretendon se ai dhe bashkëshortja e tij, ndihen të kërcënuar prej Gent Prognit.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Shërbimet e Policisë së DVP Tiranë, krahas angazhimit për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale për identifikimin e shtetasve që kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë tubimit.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se disa nga pjesëmarrësit në tubim kanë organizuar dhe drejtuar pjesëmarrësit, duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht.

Në lidhje me këtë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 janë proceduar penalisht 23 shtetas, konkretisht: A. K., A. Ll., L. K., E. K., V. D., E. Z., Xh. P., A. N., I. Rr., J. Sh., A. H., Xh. B., Sh. B., E. Q., T. H., S. M., E. K., D. K., A. Ll., L. D., B. K., R. S. dhe E. L.

Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ndërkohë, sqarojmë se më datë 17.06.2026, në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është paraqitur shtetasi R. M., i cili ka kallëzuar se gjatë protestës së zhvilluar më 16.06.2026 është kanosur nga shtetasi G. P., pas një debati lidhur me publikimin e një videoje në një rrjet social, ku pretendohej se shtetasi G. P. pengonte qytetarët të flisnin në podium. Sipas kallëzimit, ky i fundit i është drejtuar me fjalë që kallëzuesi i ka konsideruar kërcënuese. Gjithashtu, kallëzuesi ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij ndihen të kërcënuar nga shtetasi G. P.

Policia ka thirrur dhe i ka marrë deklarim shtetasit G. P., i cili ka pranuar se ka kërkuar sqarime nga kallëzuesi për videon e publikuar në një rrjet social.

Në lidhje me këtë rast, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.