Shtetet e Bashkuara mirëpresin bashkëpunimin me Kosovën për pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga territori amerikan. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit sot i tha Radios Evropa e Lirë se SHBA-të i janë “mirënjohës partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të dëbuar nga Amerika”.
E mirëpresim bashkëpunimin për këtë përparësi kyçe të administratës Trump.
Zëdhënësi nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet specifike se pse u zgjodh Kosova, cilat kritere po përdoren për përzgjedhjen e emigrantëve apo nëse Kosova do të marrë mbështetje ose stimuj në këmbim të pjesëmarrjes në këtë marrëveshje.
Qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi dje se ka vendosur të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri 50 personave në vend, e që më pas do të kthehen në vendet e origjinës do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministra e Punëve të Brendshme.
Përmes një postimi në X, pas marrjes së këtij vendimi, Kurti shtoi se autoritetet kosovare do të punojnë “në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse amerikane gjatë gjithë procesit”.
Më herët dje, zëdhënësi i ekzekutivit në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se vendi ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-të lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.
Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.