Rajoni

27 vjet nga hyrja e NATO-s në Kosovë, dita që shënoi fundin e luftës!

12 qershori shënon 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës, një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të vendit. Më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës dhe hapën rrugën për kthimin e qindra mijëra shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Hyrja e forcave të NATO-s erdhi pas përfundimit të fushatës 78-ditore të bombardimeve ajrore kundër shënjestrave ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Sulmet nisën më 24 mars 1999 dhe përfunduan më 10 qershor, me qëllim ndalimin e fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Gjatë operacionit ushtarak, avionët e 13 vendeve anëtare të NATO-s realizuan 38.400 fluturime, ndërsa në 10.484 prej tyre u kryen bombardime.

Ndërsa bombardimet intensifikoheshin, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe zhvilluan një fushatë të ashpër kundër popullsisë civile shqiptare.

Mbi 10 mijë shqiptarë u vranë, shumë prej tyre u varrosën në varreza masive. Në javët e para të ndërhyrjes së NATO-s, rreth gjysmë milion shqiptarë u detyruan të largoheshin nga Kosova, duke krijuar një krizë humanitare që preku veçanërisht Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Më 1 qershor 1999, Beogradi pranoi parimet e grupit të vendeve të G-8/ës. Pas kësaj, NATO pezulloi sulmet ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit të tërheqjes së forcave serbe sipas planit të paqes, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, që krijoi bazën për administrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe vendosjen e pranisë ushtarake e civile ndërkombëtare.

Fundi i bombardimeve dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës detyruan forcat serbe të tërhiqeshin nga Kosova. Kjo i hapi rrugën kthimit në vendlindje të më shumë se një milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët gjatë luftës ishin shpërngulur në vende të ndryshme të rajonit dhe të botës.

Në 27 vitet që pasuan, Kosova ka vazhduar të mbështetet nga misioni paqeruajtës i NATO-s, ndërsa rreth 500 mijë pjesëtarë të këtye forcave nga vende të ndryshme kanë shërbyer në misionet ndërkombëtare të sigurisë në vend. Kontributi i tyre konsiderohet vendimtar për ruajtjen e paqes, stabilitetit e sigurisë në Kosovë.