Bota

Ukraina nën sulme ajrore ruse, presidenti Zelensky në samitin e G7-ës në Japoni!

Gjatë natës, disa qytete në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev ishin shënjestër e sulmeve ajrore ruse, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky arriti në Japoni për të marrë pjesë në samitin e G7-ës.

Autoritetet ushtarake ukrainase thanë se 18 dronë u rrëzuan mbi kryeqytet. Në Telegram, Sergey Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit shkruan:

Të gjitha objektivat e zbuluara ajrore u shkatërruan nga mbrojtja jonë kundërajrore.  Ra zjarr dhe në një ndërtesë të banuar si pasojë e një sulmi me dronë, por nuk pati viktima.

Shpërthimet tronditën edhe qytetin Chernihiv, në verilindje të Kievit. Po ashtu, disa shpërthime u raportuan në qytetin port të pushtuar nga Rusia, Mariupol, në Detin Azov. Mediat ruse bënë të ditur se sulmet goditën aeroportin e qytetit.

Në Mariupol, shpërthimet ndodhën në përvjetorin e parë të pushtimit të qytetit nga Rusia, pas luftimeve të rënda disamujore që shkaktuan shumë viktima e dëme të mëdha.

Zelensky në samitin e G7-ës

Në një postim në Twitter, menjëherë pas mbërritjes në qytetin japonez të Hiroshimës, Zelensky shkroi se samiti nënkupton “siguri dhe bashkëpunim më të mirë për fitoren e Ukrainës”.

Në Hiroshimë, nesër Zelensky do të takohet me udhëheqësit e G7-ës, për të biseduar lidhur me pushtimin rus dhe për të bërë thirrje për më shumë ndihmë ushtarake.

Në prag të samitit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden informoi udhëheqësit e G7-ës se SHBA-të do t’i ndihmojnë përpjekjet e aleatëve për të trajnuar pilotët ukrainas për avionë luftarakë të avancuar F-16.

Raportimet e mediave thonë se “me siguri, trajnimi do të zhvillohet në Europë” e “do të nisë pas disa javësh”.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak tha se ai e përshëndeti lëvizjen e Uashingtonit për të trajnuar pilotët ukrainas dhe shkroi në Twitter se “Britania e Madhe do të punojë së bashku me Holandën, Belgjikën e Danimarkën, për t’i dhënë Ukrainës aftësitë ajrore luftarake që i nevojiten”.