Sipas diplomatëve evropianë, pika më e debatueshme e paketës, që lidhej me kufizimin e furnizimit me gaz rus drejt vendeve të treta, është zgjidhur përmes një periudhe të gjatë tranzicioni.
Në kuadër të masave të reja, vendet anëtare kanë rënë dakord gjithashtu që për një vit të ngrijnë kufirin maksimal të çmimit për naftën e papërpunuar ruse në 44.10 dollarë për fuçi.
Propozimi për kufizimin e transportit të gazit rus nga kompanitë evropiane drejt blerësve jashtë Bashkimit Evropian kishte shkaktuar debate mes vendeve anëtare, veçanërisht nga Greqia, e cila kishte shprehur shqetësime për ndikimin dhe efektivitetin e kësaj mase.
Pas negociatave intensive, shtetet e BE-së arritën kompromisin dhe puna teknike për finalizimin e paketës së re është drejt përfundimit.
Sanksionet e reja janë pjesë e strategjisë së Bashkimit Evropian për të rritur presionin ekonomik ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë dhe për të kufizuar burimet financiare që mbështesin ekonominë ruse.